May 25, 2024
Maqedoni

Ageler: Një ose dy persona nga Maqedonia e Veriut në “Listën e Zezë” amerikane

Një ose dy emra nga Maqedonia do të përfshihen në listën e zezë të Uashingtonit që do të publikohet në muajt në vijim. Këtë e bëri të ditur ambasadorja Angela Ageler, e cila përsëriti se janë duke u përgatitur disa lista sanksionesh në Uashington.

“Ka njerëz që duhet të shqyrtohen, por për shkak se sistemi në Uashington është kaq i kujdesshëm ligjërisht, kërkon kohë dhe kërkime për krimet e supozuara në mënyrë që të mos vendosim dikë në listë që nuk e meriton të jetë aty. Është një sistem që ndryshon dhe ndryshon dhe mendoj se në muajt në vijim do të shohim një ose dy emra dhe do të jetë një proces që do të vazhdojë. Nuk ndalet, është një sistem i vazhdueshëm në Uashington”, tha Angela Ageler, ambasadore amerikane, transmeton Lideri.mk.

Në një deklaratë për mediat, ambasadorja e ShBA-ve në Maqedoninë e Veriut mes tjerash ka folur edhe për praninë e korrupsionit në vend, ajo potencoi se po bën gjithçka në drejtim të përmirësimit të kësaj situate.

“Unë kam ardhur këtu nga muaji nëntor, siç e dini të gjithë ndërsa korrupsioni ka qenë në këtë shtet shumë më herët, nuk është një problem që mund të zgjidhet për disa muaj, ekzistojnë sisteme në vend që kërkojnë ekzaminime, është shumë e rëndësishme që jam sot këtu dhe të shoh se si ndiqet krimi. Pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për krime financiare, korrupsion apo tjera. Kështu që ne dëshirojmë të jemi partnerë me këtë shtet, në një formë që do t’ua bënte të qartë qytetarëve, që ky sistem është këtu për ata, kjo do të merr kohë, nuk është diçka që një kompjuter mund ta zgjidhë menjëherë, por është prioritet dhe siç e shpjegova më herët, nëse unë kam një qëllim gjatë kohës time këtu si ambasadore, është të sigurojë që unë bëj gjithçka që mundem, edhe ekipi im bën gjithçka që mundet, të rrisim besimin e qytetarëve të RMV-së në gjyqësorin e tyre, dhe nëse ka mënyra që ne mund ta bëjmë këtë, unë do të bëj gjithçka që kam mundësi që kjo të ndodhë”, tha Angela Aggeler, ambasadore e SHBA-ve në Shkup.