May 6, 2024
Maqedoni

Ademi: Sot dorëzojmë propozim ligjin për rritjen e pagave të punonjësve në institutet publike

Koordinatori i grupit parlamentarë i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi nëpërmes një statusi në rrjetet sociale ka njoftuar se sot, para deputetëve, grupi parlamentarë i BDI-së, do të dorëzojë propozim-Ligjin për plotësimin e Ligjit për veprimtari shkencore-kërkimore, me çka do të rregullohet paga e punonjësve në institutet publike shkencore nga llogaria e buxhetit dhe koeficienti për pagesën e pagës për të gjithë punonjësit në institutet publike shkencore.
“Siç intervenuam në Ligjin për arsimin e lartë, ashtu do të bëjmë edhe sot, ku para deputetëve do të paraqesim propozim-Ligjin për plotësimin e Ligjit për veprimtari shkencore-kërkimore, me çka do të rregullohet paga e punonjësve në institutet publike shkencore nga llogaria e buxhetit dhe koeficienti për pagesën e pagës për të gjithë punonjësit në institutet publike shkencore. Besoj që edhe ky propozim-Ligj do të marrë mbështetjen e të gjithë deputetëve në Kuvend. Ne jemi shembull që duhet ndjekur sa i përket rritjes së pagave”, deklaroi Ademi.