May 17, 2024
Maqedoni

Abedini nga AAA viziton kompaninë Podgorka, fabrikë që punon me standarde HACCP dhe HALAL

Zv/ministri i Bujqësisë nga radhët e Alternativës, Abdylshyqyr Abedini, vizitoi kompaninë nga Struga Podgorka, një shembull i suksesshëm i shfrytëzimit të fondeve nga programi IPARD në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë.

“Sot ishim në vizitë të kompanisë “Podgorka” nga Struga në krye me pronarin Mevmed Xhemajloski si një projekt i suksesshëm i realizuar me fonde nga programi IPARD. Kjo është kompani që për shumë vite është e angazhuar në distribuimin e produkteve ushqimore për disa marka të njohura në rajon dhe më gjerë, industri e mishit që ofron produkte me cilësi të lartë me shije tradicionale dhe të njohur, të përgatitura nga teknologë me përvojë dhe në një proces prodhimi nën mbikëqyrje të vazhdueshme”, njoftoi Abedini.

Ai tha se me ndihmën e programit IPARD, kompania funksionon me objekt dhe proces prodhimi modern dhe sipas standardeve evropiane.

“Industria e mishit “Podgorka” është e pajisur me teknologjinë më të avancuar të përdorur në sektorin e përpunimit të mishit. Objekti është ndërtuar sipas standardeve për efikasitet energjetik, dhe procesi i prodhimit në fabrikë zhvillohet sipas standardeve më moderne evropiane. Kompania dhe të gjitha departamentet e prodhimit janë të licencuara dhe plotësojnë standardet HACCP dhe HALAL”.

Në rastin konkret, investimi kap vlerën prej 5.5 milionë eurove, ndërsa është bashkëfinancuar me mjete nga fondet IPARD. Ky është vetëm një nga shumë shembuj të suksesshëm të kompanive që përfitojnë nga fondet IPARD në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë.