Abdurrahmani akuzon ish-kryeshefin e Trepçës për sulmin, e quan kërcënim të rëndë me qëllim eliminimin
Drejtori i ndërmarrjes Trepça, Enis Abdurrahmani, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, janë sulmuar sot në vendin e tyre të punës nga disa persona, me ç’rast kanë marrë lëndime dhe janë trajtuar në spitalin e Mitrovicës.
Personat e dyshuar janë identifikuar nga policia, tre prej të cilëve janë arrestuar, ndërsa hetuesit janë duke punuar në ndriçimin e plotë të këtij rasti.
Zëvendësministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj, gjatë një konference për media, ka bërë të ditur rrethanat e këtij incidenti dhe keqpërdorimet e mëhershme në këtë ndërmarrje, të gjetura nga Bordi i përkohshëm.
“Sot në objektet e administratës së Trepçës ka ndodhur një incident në të cilin ish- kryeshefi ekzekutiv i Trepçës ka sulmuar kryeshefin aktual. Së bashku me ish- kryeshefin kanë qenë edhe disa persona tjerë, të cilët mund të jenë të punësuar në Trepçë ose mund të jenë edhe nga jashtë, për çka janë duke u marrë organet e rendit në Mitrovicë… Qeveria e Kosovës më 21 maj 2021 ka emëruar një Bord të përkohshëm në ndërmarrjen publike Trepça… Gjatë punës, Bordi i përkohshëm ka vërejtur disa nga keqpërdorimet e mëhershme si në mbetje, keqpërdorime ndaj shitjes së andeziteve dhe mineraleve tjera dhe disa nga këto keqpërdorime i ka raportuar tek organet e rendit. Qeveria e Kosovës në muajin gusht ka nxjerrë një vendim me të cilin udhëzohet Dogana e Kosovës dhe ndërmarrja publike Trepça që të themelojnë terminalin doganor ashtu siç ka qenë edhe më herët në objektet e ndërmarrjes publike Trepça… Pasi që ushtruesi i detyrës së kryeshefit i ka kaluar një mandat mbi gjashtë muaj, Bordi i përkohshëm ka vendosur që ta zëvendësojë me një ushtrues detyre tjetër të ri, e ai është Enis Abdurrahmani, i cili ushtron detyrën nga e premtja e kaluar”. ka thënë Arifaj.
Edhe kryeshefi ekzekutiv, Enis Abdurrahmani, duke folur për sulmin ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të tij, ka ftuar të gjithë punëtorët që ta vazhdojnë punën dhe se përzgjedhja e kryeshefit është e drejtë ekskluzive e Qeverisë së Kosovës dhe Bordit.
“Sot ka ndodhur një incident në menaxhment ndaj meje si kryeshef dhe ndaj bashkëpunëtorëve të mi, më gjerësisht edhe ndaj drejtorit të administratës Besim Haxhiu. Ne jemi sulmuar fizikisht në zyrat tona të punës, nga ish-kryeshefi Rafet Ibishi dhe një grup i tij mbi 50-60 persona që kanë hyrë në objekt dhe mbi 100 persona, të cilët kanë qenë jashtë objektit. Fatmirësisht, ky sulm kaloi me pasoja dhe lëndime të vogla tek unë dhe bashkëpunëtorët e mi, por ka qenë një kërcënim shumë i rëndë me qëllime të eliminimit dhe qëllime tjera si dëmtimi i aseteve dhe pronave të ndërmarrjes. Unë si kryeshef e falënderoj Policinë e Kosovës, e cila ka reaguar në një moment shumë delikat dhe na ka shpëtuar nga eliminimi jonë”, tha ai.