Rajon - Botë

Abazoviq mbetet kryeministër, tejkalohen mosmarrëveshjet me Gjukanoviqin

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq dhe kryeministri, Dritan Abazoviq kanë pasur sot konsultime për tejkalimin e problemeve në funksionimin e pushtetit ekzekutiv të shkaktuar nga miratimi i Marrëveshjes për çështje me interes të përbashkët të Qeverisë së Malit të Zi dhe KOS-it, thuhet në një deklaratë të përbashkët.

“Bashkërisht u vlerësua se është në interes të Malit të Zi dhe të ardhmes evropiane ruajtja e stabilitetit politik dhe përmirësimi i funksionalitetit të institucioneve të sistemit, në mënyrë që vendi kandidat për anëtarësim në BE, në një kohë sa më të shkurtër të përmbushë detyrimet që dalin nga agjenda evropiane”, shkruhet në njoftimin e përbashkët të kabinetit të presidentit dhe të kryeministrit, raporton rtcg.

Në këtë kontekst, siç u tha, u pa e dobishme ideja që para vazhdimit të procedurave të mëtejshme lidhur me Marrëveshjen, publiku profesional dhe shkencor i Malit të Zi, përkatësisht përfaqësues të Universitetit dhe të shoqërisë civile me kompetenca në çështjet juridike, të shqyrtojnë edhe një herë tekstin e Marrëveshjes.

U urdhërua që ndërkohë fokusi politik të drejtohet në dialogun e të gjitha partive parlamentare për sigurimin e konsensusit të nevojshëm për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor gjyqtarëve dhe të Gjykatës Kushtetuese.

“Është një vlerësim i përbashkët se kjo do të tregonte qëndrimin e përgjegjshëm të shtetit ndaj inkurajimit të institucioneve të BE-së për të përmbushur efektivisht kriteret e përkohshme të mbetura për sundimin e ligjit për krijimin e kushteve për përshpejtimin e procesit të përgjithshëm negociues. Kjo do të ishte kontributi më i mirë për stabilitetin dhe prosperitetin e përgjithshëm të shtetit dhe shoqërisë malazeze”, u vlerësua në takim.

Gjukanoviq dhe Abazoviq ranë dakord që pavarësisht dallimeve politike apo të tjerave që ekzistojnë në shoqëri, zgjidhja duhet kërkuar gjithmonë përmes dialogut brenda institucioneve.