AAA – Dega në Kumanovë: Në Kumanovë ka më shumë kazino dhe bastore sesa shkolla shqipe
Të nderuar qytetarë të Kumanovës, të nderuara media! Kazinotë dhe bastoret janë kanceri që e shkatërron rininë dhe popullatën edhe ashtu të varfër në përgjithësi. Ndërkaq, në qytetin e Kumanovës vite me radhë dukuri shqetësuese janë bërë pikërisht kazinotë, bastoret dhe lojërat e tjera të “fatit”. Duke pasur një rini të papunë, që rri duke pritur për çdo ditë largimin nga ky vend, ngase ata nuk shohin asnjë perspektivë tjetër këtu, adresa e kërkuar prej tyre shumë shpesh po bëhen kazinotë dhe bastoret. Më shqetësues se kaq është vendndodhja e kazinove dhe bastoreve. Siç e dimë ne kumanovarët, në trekëndëshin midis dy shkollave fillore shqipe dhe një të mesme gjenden 6 bastore sportive dhe 3 kazino. Duke mos respektuar asnjë normë ligjore, kazinotë dhe bastoret i lejojnë të hyjnë aty edhe të rinjtë e moshës nën 18 vjeç, gjë që është edhe joligjore, joetike dhe joedukative. E meqë nuk vërehet ndonjë reagim i institucioneve kompetente për dislokimin e tyre ose, aq më pak, për mbylljen e tyre, shtohen dyshimet se në këtë “biznes” është e përzier edhe politika. Kjo është arsyeja që Alternativa në Kumanovë të kërkojë dislokimin e kazinove nga shkollat dhe nga vendet e tjera dhe që kjo çështje të rregullohet me ligj, i cili do të respektohet nga të gjithë, në mënyrë që të rinjtë, veçanërisht ata nën moshën 18-vjeçare, të mos kenë qasje në këto lojëra të fatit. Ju faleminderit për vëmendjen!
AlternAtivA – Dega e Kumanovës