June 16, 2024
Maqedoni

A PO RIKTHEHET BESIMI I HUMBUR NË GJYQËSI PËRMES LËVIZJEVE TË FUNDIT?

A PO RIKTHEHET BESIMI I HUMBUR NË GJYQËSI PËRMES LËVIZJEVE TË FUNDIT?

Shkup, 23 maj –  Gjyqësori ka qenë dhe vazhdon të jetë plaga që rrjedh në vend dhe pengon progresin që është më se i nevojshëm është i patjetërsueshëm. Lëvizjet e fundit në gjyqësi kanë shkaktuar habi të jashtëzakonshme në opinion duke shkuar drejt rikthimit të besimit të humbur. Gjykata Penale e Shkupit e pranoi propozimin e Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe i caktoi masë paraburgimi prej 30 ditëve, gjyqtarit Suprem Naqe Georgiev, i cili u kap duke marrë 10.000 euro shpërblim për ndikim të kundërligjshëm në lëndën e ish kryetarit të Novo Sellës Boro Stojçev, i cili ndodhet në paraburgim për shkak të tregtisë ilegale me lëndë narkotike. Nëse vazhdohet me këtë ritëm rikthehet besimi përbrenda institucioneve të drejtësisë e pastaj ky besim do të përçohet edhe te qytetarët që gjërat mund të shkojnë edhe mbarë ashtu siç duhet, shkruan Zhurnal.

Arrestime e paraburgime shpresë për rikthim të besimit në gjyqësi?

Gjykata Penale e Shkupit e pranoi propozimin e Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe i caktoi masë paraburgimi prej 30 ditëve, gjyqtarit Suprem Naqe Georgiev, i cili u kap duke marrë 10.000 euro shpërblim për ndikim të kundërligjshëm në lëndën e ish kryetarit të Novo Sellës Boro Stojçev, i cili ndodhet në paraburgim për shkak të tregtisë ilegale me lëndë narkotike.

“Pas deklarimit të të dyshuarit në prani të mbrojtësit të tij, por edhe vlerësimit të fakteve dhe provave të dorëzuara nga ana e prokurorit publik është miratuar vendim, me të cilin propozimi pranohet, ndërkaq të dyshuarit i caktohet masë paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 ditësh, për shkak të ekzistimit të bazave nga neni 165 paragrafi 1 pika 2 dhe 3, gjegjësisht mund ta pengojë procedurën penale me ndikim ndaj dëshmitarëve, dhe rrethanat të cilat tregojnë se do ta mbarojë ose përsërisë veprën penale”, thonë nga Gjykata Penale e Shkupit.

Vendimi i këtillë vjen, pasi Këshilli Gjyqësor ia hoqi imunitetin gjykatësit dhe i dha dritë jeshile Gjykatës Penale të vendosë për paraburgimin e tij. Nga ana tjetër, për të dyshuarin e dytë, anëtarin e Këshillit të Prokurorëve, Ixhet Memeti, Prokuroria kërkon masa kujdesi.

“Prokuroria kërkon që gjykata, të dyshuarit t’i caktojë masa të kujdesit. Konkretisht, detyrim që i dyshuari të paraqitet kohëpaskohe në person të caktuar zyrtar ose te organi kompetent shtetëror, të cilin do ta caktojë gjykatësi i procedurës paraprake dhe përkohësisht t’i merret pasaporta dhe t’i ndalohet kalimi i kufirit me letërnjoftim”, deklaruan nga Prokuroria Themelore Publike.

Sipas hetimit të Prokurorisë, Georgiev si i dyshuar i parë, i cili është kapur në flagrancë duke i marrë paratë bashkë me të dyshuarin e dytë Memeti, kanë premtuar favore dhe lehtësim të procedimit penal të Boro Stojçevskit. Prokuroria, sot njoftoi se do t’i vazhdojë hetimet.

Reformat në gjyqësor janë të patjetërsueshme-

Pa qeverisje funksionale të së drejtës, Maqedonia e Veriut nuk mund të shpresojë për përparim në procesin e integrimeve evropiane, veçanërisht duke pasur parasysh se pika kyçe gjatë negociatave të cilat ende nuk kanë filluar është pikërisht kapitulli 23, gjyqësori dhe të drejtat e njeriut.

Perceptimi aktual i sistemit gjyqësor në Maqedoninë e Veriut është pasqyrim i asaj për të cilin vlerësohet se është skajshmërish i partizuar, institucionet e drejtësisë nuk funksionojnë, thënë thjesht, gjyqësori nuk e kryen funksionin e tij si autoritet i tretë, pra si korrigjues i legjislativit dhe ekzekutivit. Prandaj nuk duhet të habitemi me besimin jashtëzakonisht të ulët i qytetarëve në sistemin e drejtësisë, i cili tashmë ka rënë nën katër për qind, që është një fakt shkatërrues për një vend. Prandaj, në plotësimin e kirtereve të Kopenhagës për anëtarësim në BE është e domosdoshme edhe adaptimi i ligjeve të vendit kandidat me ato të BE-së, e kjo praktikë pra merret nga vendet evropiane të zhvilluara.

Për Maqedoninë e Veriut fokusi në vitin 2024 duhet të jetë në reforma. Reforma të cilat para së gjithash janë dhe mbi të gjitha do të jenë me kërkesë të qytetarëve dhe interesave të tyre. Rruga përpara, intensiteti i atyre reformave dhe përparimi drejt BE-së tani varet nga ne. Tani është momenti kur duhet të ndërlidheni në atë nxitje që ka ndodhur në vitin 2022 me fillimin e negociatave.

Prandaj, për të ecur para Maqedonia e Veriut është e detyruar që krahas gjitha reformave tjera të bëj edhe reformat e duhura dhe shumë të nevojshme në sektorin e gjyqësisë, fillimisht duke e departizuar pastaj duke e lejuar që të funksionojë pa presione politike, në mënyrë që të ketë kuptim të plotë si pushtet korrigjues./Zhurnal.mk