Maqedoni

A po i çon Kovaçevski “selam” Merkos për të dhënë dorëheqje?

Nëse kryeministri Kovacevski do të futej në listën e zezë në SHBA, do ta konsideronte si humbjen më të madhe në karrierën e tij, tha sot kryeministri Dimitar Kovacevski i pyetur për një koment pasi emri i kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko u shfaq në listën e zezë të SHBA-ve.

“Nëse e gjej veten në listën e zezë të SHBA-ve, si person që një pjesë të shkollimit e ka përfunduar në SHBA, jo që do të jap dorëheqje, por do ta konsideroj humbjen më të madhe në karrierën time personale dhe profesionale”, tha Kovaçevski, në deklaratën e cila nga disa media veçmë ka filluar të interpretohet si porosi indirekte për kryetarin e Strugës të japë dorëheqje nga posti.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski siguron se nëse ndonjëri prej ministrave në kabinetin e tij gjendet në listën e zezë të SHBA-ve, ai personalisht në të njëjtin moment do të iniciojë shkarkimin e atij ministri, shkruan TV21. Kovaçevski thotë se SHB-të janë partneri strategjik më i rëndësishëm i vendit.

“Nëse ministër në Qeveri gjendet në listën e zezë të SHBA-ve, shtet që është partneri ynë më i madh strategjik, me të cilin kemi dialog strategjik, shtet në krizën më të madhe, bashkë me SHBA arritëm të sigurojmë gaz dhe energjenca për shtetin, në të njëjtin moment ai ministër, ndaj tij do të parashtrohet shkarkimi nga ana ime”, tha Kovaçevski.

I pyetur se pse pjesë e Qeverisë së tij është Menduh Thaçi, i cili bën pjesë në listën e zezë të SHBA-ve, Kovaçevski e arsyetoi duke thënë se ai me atë status ka fituar mandatin e deputetit në zgjedhje.

“Menduh Thaçi shkon në zgjedhje, ai është bërë deputet në zgjedhje, mendoj në njësinë e 6 zgjedhore. Për aspektet e tij personale rreth asaj se si është qasja e tij për atë që gjendet në listën e zezë, duhet ta pyesni atë, për shkak se ai me atë status ka shkuar në zgjedhje”, deklaroi kryeministri./tv21.tv