BallinaMaqedoni

A është në rrezik koalicioni qeveritar VMRO-VLEN? Flet zv/kryeministri Mexhiti!

Shkup, 28 korrik– A po bëhet balanceri ‘mollë sherri’ ndërmjet VLEN dhe VMRO dhe a mund të rrezikon koalicionin qeveritar?, është pyetja që parashtrojnë disa media në vend.

Në këtë temë ka folur edhe zv/kryeministri i parë, Izet Mexhiti, i cili siç transmeton portali lideri.mk, ka thënë se koalicioni qeveritar është stabil dhe fokusi duhet të jetë zhvillimi ekonomik, rritja e standardit jetësor, lufta kundër korrupsionit, integrimi në BE dhe zgjidhja e problemeve specifike.

– Që nga vitet ’90 nuk ka pasur koalicion më të qëndrueshëm, 78 deputetë me tendencë për t’i kaluar të 80-at dhe dy të tretat nuk ka ndodhur kurrë në vend. Ne jemi bashkë në koalicion qeveritar, por nuk jemi njësoj, nuk jemi një. Ne jemi të ndryshëm, kemi në disa raste mendime të ndryshme, por kemi kapacitet për të biseduar, negociuar, gjetur zgjidhje kompromisi dhe të ecim përpara”, deklaroi Mexhiti.

Siç transmeton lideri.mk, lidhur me balancerin apo atë që e tha ministri Minçev, Mexhiti vlerëson se nuk është në përputhje me ligjin.
“Në ligj saktë thuhet se përfaqësimi i drejtë, duhet të jetë sipas përfaqësimit në përqindje të popullatës, nuk thuhet aty të rezidentëve apo jorezidentëve dhe mendoj se kjo qeveri është e përkushtuar në zhvillim ekonomik, standardin e jetesës së qytetarëve, të zgjidhjes se çështjeve konkrete, nuk janë prioritet çështjet e tilla. Janë të panevojshme dhe kuptohet iniciativat e tilla do të shkaktojnë përgjigje nga ana jonë, por nuk jemi ne ata që inicojmë gjë të tillë. Mendoj se edhe kolegët tanë do ta kuptojnë se duhet të jenë në funksion të kësaj platforme dhe jo të politikës ditore” , shtoi Mexhiti, Zëvendëskryeministër i parë.

Ditë më parë, ministri për Administratë nga radhët e partisë ZNAM, Goran Minçev ndryshoi llogaritjet për balancuesin të bëra nga ish ministri Admirim Aliti. Në bazë të ndryshimeve, rritet numri i maqedonasve që do të punësohen në administratë ndërsa ulet numri i shqiptarëve./Lideri