September 19, 2024
BallinaMaqedoni

A do të përkrahë BDI-ja interpelancën e “Levicës” kundër Gashit? Ja çka thonë nga partia e Ahmetit!

Grupi parlamentar i BDI-së ka ndërtuar qëndrim lidhur me interpelancën e partisë Levica për kryeparlamentarin Afrim Gashi. Deputetë nga grupi parlamentar i integristëve duke folur ekskluzivisht për portalin Lideri.mk nga Shkupi, thonë se qëndrimin që kanë ndërtuar brenda grupit parlamentar për çështjen e interpelancës ndaj Gashit e kanë dërguar për miratim në kryesinë partiake.

“Qëndrimi ynë si grup parlamentar është të bojkotojmë votimin kur të vjen interpelanca në rend dite në Kuvend, që do të thotë se nuk do të votojmë as ‘pro’ as ‘kundër’. Ndoshta do të marim pjesë në debat me një ose dy diskutime, por vlerësojmë se varianti më i mirë për ne është që votimi të bojkotohet”, thonë deputetë të BDI-së për portalin Lideri.mk, duke folur në kushte anonimiteti deri sa vendimi nuk bëhet zyrtar.

“Kjo nuk do të thotë se nuk jemi të pakënaqur nga puna e Gashit, si pjesë e përfaqësuesve jolegjitimë në pushtet, por vlerësojmë se përgjigja më e mirë ndaj interpelancës së Levicës është të bojkotojmë votimin”, shtojnë nga grupi parlamentar i BDI-së, duke mos përjashtuar mundësinë që qëndrimi i tyre të pësojë ndonjë ndryshim nga kryesia e partisë, e cila do ta ketë fjalën e fundit.

Interpelanca për Gashin erdhi pak ditë pas incidentit në Aeroportin e Shkupit ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ndërsa sigurimi personal i Gashit me urdhër të tij kishte ndërhyrë për qartësimin e mosmarrëveshjes së krijuar mes Osmanit dhe autoriteteve në TAV.

Alsat ndërkohë ka raportuar se ende nuk është caktuar data se kur do të jetë interpelanca në rend dite.

Shumica vlerëson se interpelanca kundër Gashit nuk ka bazë. Sipas VMRO-DPMNE-së, përgjegjësia për incidentin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani është lokalizuar.

“Vlerësojmë se përgjegjësia është lokalizuar. Institucionet janë duke marrë hapa të menjëhershëm si asnjëherë më parë. Tani ka kallëzime penale për të gjithë që shkelin ligjin. Në të kaluarën kishte raste kur merimanga e godiste policin dhe askush nuk reagonte. Neve vërtetuam se këtu ka shtet dhe ligji do të vlen për të gjithë njësoj”, tha Marija Miteva, Zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.

Koalicioni VLEN thotë se Levica “si dorë e zgjatur e BDI-së dhe LSDM-së” ka nisur interpelancën për të testuar stabilitetin e shumicës.

“Qëllimi sigurisht që nuk është mbrojtja e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën ose e Marrëveshjes së Ohrit. Qëllimi është të shkaktohet një tërmet politik. Pse? Për të testuar shumicën qeveritare dhe për të parë nëse opozita mund të gjejë një interes të përbashkët për të vepruar së bashku”, thonë nga VLEN.

“Si në çdo eksperiment politik, ashtu në interpelancën për kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, ka elemente të nevojshme eksperimenti. Kërkohet një motiv, siç ishte incidenti në aeroport. Më pas, krijohet në mënyrë të koordinuar një histeri në publik, e më vonë në mënyrë pompëzuesë kërkohet përgjegjësi politike. Ndërtohet një konstrukt rreth sigurisë së Kryetarit të Kuvendit.

Lvica është parashtrues i interpelancës, LSDM-ja e mbështet, ndërsa BDI-ja kërkon alibi për të hyrë hapur në këtë grup dhe për të kaluar nga roli i përkrahësit të heshtur në atë të koordinatorit politik”, theksohet poashtu në reagim.

LSDM-ja veprimet e Gashit i vlerëson si urdhra në kundërshtim me ligjin, ndërsa kryeministrin Hristijan Mickoski e akuzon për gjunjëzim para kryetarit të Kuvendit.

“Mickoski u gjunjëzua para Gashit dhe kjo është për të ardhur keq. LSDM-ja dhe askush tjetër nuk e tha dhe nuk e potencoi në njoftim se nga ana e kryetarit të Kuvendit është dhënë urdhër jo ligjor. I bëjmë thirrje Mickoskit të përmendet dhe ta ndërron Gashin. Vetëm në këtë mënyrë do ta dëshmon fjalën e tij se do të ketë përgjegjësi edhe për politikanët”, thonë nga LSDM./Lideri