A do të kandidoj Bilall Kasami për kryetar të Komunës së Tetovës?!
A përgatitet Bilall Kasami për të kandiduar për kryetar komunë të Tetovës? Kjo është pyetja që ngrihet ditët e fundit në kuloaret politike. Se kreu i Lëvizjes Besa është aktivizuar së tepërmi në ditët e fundit kjo nuk ka dyshim. Ai në periudhën e fundit ka ndërmarr disa aktivitete në terrenin e Komunës së Tetovës. Shumë shpesh Kasami paraqitet me Ministrin e bujqësisë, pylltarisë dhe ekonomisë së ujrave, Arjanit Hoxhën në vendbanimet për rreth Tetovës, por edhe me drejtorët e kësaj partie. Kur kësaj ti shtohen edhe shumë investime që Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujrave i ka paraparë në vendbanimet e Komunës së Tetovës, kjo e bën edhe më serioze idenë për kandidimin e kreut të Besës në Tetovë, shkruan NMK-Post.
Zërat për kandidim të Bilall Kasamit u rritën dukshëm pasi në disa sondazhe të mendimit publik partia e tij po qëndron mirë në qytetin e Tetovës. Ndërkaq në emër të riorganizimit të strukturave partiake, aktivistë të Lëvizjes Besa janë vërsulur terrenit. Sipas të dhënave që dalin nga kjo parti, numri i anëtarësive të regjistruar rishtas është rritur së tepërmi në periudhën e fundit, gjë që ka ngjallur ambiciet e kësaj partie për të udhëhequr me komunën më të madhe shqiptare në Maqedoni.
Në pyetje të gazetarëve sot në Tetovë Kasami as nuk ka pohuar e as nuk ka mohuar idenë e kandidimit të tij për kryetar komune. “Është ende herët për të menduar për këtë. Nuk dua që aktivitetit të sotëm ti japim konotacion tjetër” ka deklaruar Kasami sot në Tetovë, në një aktivitet të përbashkët me ministrin Hoxha. /NMK-Post