May 14, 2024
Maqedoni

A do ta luftojë Ballkani i Hapur punën “në të zezë”?

Në Maqedoninë e Veriut punëtorët nga vendet nënshkruese të nismës së Ballkanit të Hapur vazhdojnë të punojnë “në të zezë”, pavarësisht se kjo çështje synohet të rregullohet me marrëveshjen për qasje të lirë në tregun e punës, e cila ka hyrë në fuqi më 5 mars, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi se qëllimi i kësaj mase është të kontribuojë në heqjen e barrierave që pengojnë tregtinë dhe lëvizjen e lirë të njerëzve, si dhe të mundësojë përdorimin e shërbimeve elektronike në kuadër të nismës rajonale.

Qytetarët e interesuar për qasje të lirë në tregjet e punës të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë, fillimisht duhet të marrin numrin e identifikimit Ballkani i Hapur në portalin e shërbimeve elektronike në vendin e tyre, me të cilin aplikojnë për miratim për qasje të lirë në tregun e punës në dy vendet e tjera.