May 10, 2024

Një jetë kuptimplote, e mbushur dhe e ushqyer vazhdimisht me harmoni psiko-shpirtërore, nevojitet të jetë e shoqëruar nëpër rrugët e jetës dhe zhvillimit njerëzor me një vetëvlerësim dhe vetbesim të shëndetshëm, qoftë edhe në veprimet e vogla në përditshmërinë e gjithësecilit prej nesh. Një i ri, i cili sapo ka dalur në misionin për ta eksploruar botën dhe rrugët e saj, qoftë rrugët e edukimit të tij intelektual në aspektin psiko-shpirtëror, apo rrugët e posedimit të të mirave materiale të kësaj bote, nevojitet ta ketë çdoherë parasysh se, veprimet e tij, gjërat që i posedon dhe çdo derë që mundohet për ta hapur, qëllim përfundimtar duhet ta ketë kënaqësinë e Krijuesit, kënaqësi që nxitë dhe zhvillon nivelet e ngritjes së tij morale, ngritje kjo që ndihmon në hapjen e rrugës drejtë sukseseve në fusha të ndryshme të jetës.

Epidemia teknologjike që e ka kapur shoqërinë e të rinjëve, në heshtje po shkakton dëme të mëdha, duke krijuar mungesa të dëshirës që i riu të jetë i informuar rreth mundësive që ai të bëhet i ndjekuri i të ardhmes nga të tjerët, përmes urtësisë dhe vigjilencës së tij që mund ta grumbullojë kur motivohet të marr në duart e tij librin. Gjëja më e bukur që një i ri mund të bëj, dhe që e ka të nevojshme ta bëj për të mirën e tij dhe për të mirën kolektive, është ajo gjë që duhet të mësojë të shkruaj dhe të lexoj motivet se kush dëshiron të bëhet në të ardhmen, përmes shembujve të njerëzve tjerë. Fenomenet shoqërore, qofshin të liga ose të bukura kur zhvillohen në praktikë, kanë impaktin e tyre të pamohueshëm në jetën e një të riu. Për të mos rënë pre e ndjekjes në mënyrë të verbër nga ana e tij, proceset e të menduarit dhe zhvillimin e mendimeve të tij duhet ta bëj përmes asaj që është e shkruar në fletat e një libri.

Mungesa një IPHONE 15 në dorën e tij, të riun e sotëm e dërgon në rrugët për t’u bërë antisocial, duke e dërguar gjithashtu edhe në mendime ankthsioze se si po e koncepton shoqëria atë të ri, për faktin se nuk posedon një telefon të modelit të fundit. Ndërsa mungesa e librit në duart e tij, edhe pse vërehet në sjelljet dhe fjalorin e tij pesimist për të ardhmen, konsiderohet si diçka e zakonshme dhe si diçka që nuk përbën pengesë në sytë e të tjerëve. Vetëvlerësimi i të riut, kur nuk arrihet përmes librit, edhe po të posedojë miliona gjëra në jetën e tij, përsëri do ta rikthejnë në rrugët e pakënaqësisë, ngaqë nivelin e magjisë së mendimeve të mëdha për gjërat e vogla, e ka mungesë të madhe në jetën e tij. Mendësia e vetëvlerësimit të të riut, arrihet dhe rrënjoset kur vetëdijësohet se në brendësinë e tij, posedon çelësin për t’ia hapur rrugën mendimeve të mëdha.