Maqedoni

Mungojnë pasaporta, targa dhe dëftesa, ASH: Maqedonia e Veriut po bëhet shteti më tragjik-komik në botë dhe rajon

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar sot, në lidhje me zhvillimet e fundit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku nuk ka termine për pasaporta, mungesës së targave për vetura, të patent shoferëve dhe të dëftesave.

Nga partia opozitare, deklarojnë se, institucionet për tre ditë u dhanë pasaporta të falsifikuara krerëve kriminelë, ndërkaq qytetarët duhet të udhëtojnë me pasaporta të skaduara.

Dhe siç thonë nga ASH-ja, tërë ky kaos në MPB vjen pak ditë para fluksit të mërgimtarëve, ku sipas informacioneve të tyre, edhe ata duhet të rinovojnë dokumentet e udhëtimit.

“Maqedonia e Veriut po bëhet shteti më tragjik-komik në botë dhe rajon. Qeveria aktuale dhe Ministria e Punëve të Brendshme, po bëhen gazi i botër dhe tmerr për qytetarët e tyre. Tani e disa javë me radhë, MPB-ja nuk ka pasaporta për qytetarët, ndërkaq gjithë botën e ka njoftuar se shtetasit tanë do të lëvizin me pasaporta të skaduara. Po bëhen tre muaj që e njëjta Ministri nuk ka as targa për vetura. E për të mos mjaftuar kjo, Ministria nuk ka as ekzemplarë për të shtypur patenta të shoferit dhe të gjithë qytetarët të aplikojnë, u jepet një vërtetim në letër. Ditëve të fundit, kemi informacione se në disa shkolla nuk ka as dëftesa për nxënësit. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut ishte shteti i vetëm që brenda kësaj periudhe, në afat prej 2-3 ditësh, ka pajisur me çdo lloj dokumenti kriminelët më të mëdhenj dhe krerët e mafias nga rajoni dhe bota. Por, problemi nuk përfundon më kaq. Në javët në vijim pritet golgota e vërtetë ku pritet të arrijnë mërgimtarët, ku siç është raportuar, shumica prej tyre kanë dokumente të skaduara. Sikur në shumë raste, edhe kësaj here nga paaftësia e institucioneve, mërgimtarëve nuk u janë rinovuar dokumentet në ambasada dhe tani edhe në vendlindje ata do të përballen me mungesë të dokumenteve”, tha Shefik Duraku nga ASH-ja, transmeton TV21.

Porositën autoritetet, që “kur të ju vijë dita, mos thoni se fluksi ju gjeti në befasi, por pranojeni se jeni të paaftë dhe të korruptuar”./TV21