Po kthehej në shtëpi nga një festë, humbi jetën i riu shqiptar
Një 21-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në një aksident tragjik mbrëmjen e kaluar në Itali.
Ani Gjergji, po kthehej në shtëpi pas një mbrëmjeje të kaluar me miqtë kur u përplas me makinë në via Cesena, në Komunën e Chions. Makina e të riut vinte nga Azzano Decimo dhe po shkonte në drejtim të Chions, kur shoferi humbi kontrollin e mjetit dhe doli nga rruga, duke përfunduar në kanalin që kalon pranë rrugës dhe duke u përplasur me strukturën e betonit.
Të parët që kuptuan se çfarë kishte ndodhur ishin banorët e shtëpisë aty pranë, të cilët të zgjuar nga përplasja jashtëzakonisht e dhunshme dhe shpëthimi i makinës në flakë, lajmëruan menjëherë shërbimet e urgjencës.
Dy ekipe zjarrfikëse ndërhynë në vend bashkë me punonjësit e shëndetësisë dhe policinë. Por për të riun, i cili udhëtonte i vetëm, nuk kishte shpresa pasi ai ishte bllokuar në kabinën e pasagjerëve të makinës, e cila u shkatërrua plotësisht nga flakët.
Ka dyshime se i riu mund të ketë humbur jetën nga shpejtësia e madhe ose rënia në gjumë.