September 20, 2024
Shqipëri

Vdekja e biznesmenit shqiptar: Deshi t’i vendosë eksploziv anijes konkurrente, por i shpërtheu në dorë

Një muaj pas vdekjes së biznesmenit Armand Nelaj në Sarandë, hetuesit kanë arritur të zbardhin ngjarjen e rëndë.

Edhe pse në fillim u tha se 52-vjeçari që humbi jetën pas shpërthimit të bombolës oksigjenit, ishte një zhytës profesionist dhe shpërthimi ishte atentat ndaj tij, hetuesit nuk e kanë marrë në konsideratë një pistë të tillë.

Nga hetimet ka rezultuar se 52-vjeçarit i shpërtheu në dorë eksplozivi, që donte ta vendoste në një anije që bënte linjën Sarandë Korfuz.

Shtetasi Eridion Muho që ka një linjë të transportit detar, i kishte kërkuar 52-vjeçarit Nelaj që t’i eliminonte konkurrentin me eksploziv në det.

Detyra e Armand Nelajt ishte vendosja e eksplozivit me magnet poshtë anijes së konkurrentit, që ajo të shpërthente, por në momentet e fundit plani nuk shkoi ashtu siç duhet dhe vetë Nelaj humbi jetën.

Pas zbardhjes së ngjarjes, policia i ka vënë prangat 35-vjeçarit Eridion Muho ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.