“Bixhozi larg shtëpive tona”, VMRO dhe VLEN do të ndalojnë hapjen e tri kazinove online në Maqedoni
Shumica e re në Kuvend filloi betejën e re kundër lojërave të fatit. Fillimisht, deputetët e VLEN, në koordinim me deputetët e VMRO-DPMNE-së, kërkojnë të bëhet interpretim autentik i ligjit aktual me të cilën gjë synojnë të tregojnë se hapja e tre kompanive të reja për lojëra të fatit disa muaj më parë, ka qenë veprim ilegal. Deputeti Halil Snopçe thotë se synimi tjetër është të nxirren para përgjegjësisë ata që kanë marrë këtë vendim dhe me një ligj të ri, të mbyllet një numër i konsiderueshëm i këtyre bizneseve.
– Advertisements –
“Ekipi ynë i juristëve është i bindur që vendimi për themelimin e tre kompanive të reja për organizimin e lojërave të fatit në internet është plotësisht pa bazë ligjore prandaj presim që qeveria ta mbështesë këtë siguri ligjore duke dhënë mendimin e duhur nga ku Komisioni juridik ligjvënës do të zbërthejë në një interpretim autentik që do të mundësojë mbylljen e lojërave të fatit në internet, edhe atë, menjëherë. Pika tjetër e planit për ballafaqimin me pasojat e dëmshme të lojërave të fatit është fillimi i procedurave të duhura gjyqësore për të vërtetuar keqpërdorimet e detyrave zyrtare dhe autorizimet e të gjitha autoriteteve të cilët kanë marrë pjesë në miratimin e vendimeve të kundërligjshme lidhur me organizimin e llojeve të ndryshme të lojërave të fatit. Në fund, duke pasur parasysh faktin se kemi krijuar një grup pune, presim që qeveria t’i propozojë Kuvendit një ligj të ri për lojërat e fatit dhe lojërat e argëtuese i cili do të përmbajë një sërë dispozitash me të cilat jemi të sigurt se numri i objekteve të lojërave të fatit do të ulet brenda një periudhe të arsyeshme kohore, minimalisht në gjysmë”, tha Halil Snopçe, deputet i VLEN-it.