Rajon - Botë

Gjashtë javë armëpushim në Gaza, palët afër arritjes së marrëveshjes?!

Hamasi ka dhënë miratimin e tij fillestar të një propozimi të mbështetur nga ShBA-ja për një marrëveshje armëpushimi me faza në Gaza, duke hedhur poshtë një kërkesë kyçe që Izraeli të angazhohet përpara për t’i dhënë fund luftës.

Kështu tha një zyrtar i Hamasit dhe një zyrtar egjiptian, të shtunën, shkruan AP, përcjell Klankosova.tv.

Kompromisi mund të japë pauzën e parë në luftime që nga nëntori dhe të krijojë terrenin për bisedime të mëtejshme për t’i dhënë fund luftimeve shkatërruese nëntë muajsh. Por të gjitha palët paralajmëruan se një marrëveshje ende nuk është e garantuar.

Brenda Gazës, Ministria e Shëndetësisë tha se një sulm ajror izraelit në një strehë të kthyer në shkollë vrau të paktën 16 njerëz dhe plagosi të paktën 50 të tjerë në kampin e refugjatëve Nuseirat. Mes të vdekurve dhe të plagosurve ka edhe fëmijë.

Ushtria izraelite tha se goditi disa “terroristë” që vepronin në zonën e shkollës, ndërsa pretendoi se ishte përpjekur të pakësonte rrezikun për civilët.

Dy zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti për të diskutuar negociatat në vazhdim, thanë se marrëveshja me faza e Washingtonit do të fillonte me një armëpushim “të plotë” gjashtë-javor, gjatë të cilit pengjet e moshuara, të sëmura dhe femra do të liroheshin në këmbim të qindra të burgosur palestinezë.

Gjatë këtyre 42 ditëve, forcat izraelite do të tërhiqen nga zonat me popullsi të dendur të Gazës dhe do të lejojnë kthimin e njerëzve të zhvendosur në shtëpitë e tyre në Gazën veriore, thanë zyrtarët.