BallinaMaqedoni

Qeveria e RMV-së hedh poshtë akuzat e Greqisë: E respektojmë Marrëveshjen e Prespës

Qeveria e RMV-së ka hedhur poshtë akuzat e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis për gjoja shkelje të Marrëveshjes së Prespës, akuza të bëra në mbledhjen e Këshillit të Bashkimit Evropian.

Në njoftimin e Qeverisë së Maqedonisë thuhet se shteti vazhdon t’i respektojë obligimet e marra nga Marrëveshja e Prespës në të gjitha aspektet e saj, përfshirë përdorimin e emrit “Maqedoni” si dhe emrin “Maqedonia e Veriut” në formatet dhe rastet e duhura të përcaktuara nga Marrëveshja dhe Kushtetuta e shtetit.

Në të thuhet se detyrimet e marra janë rrugë të dyanshme dhe duhet të merren parasysh edhe detyrimet e Greqisë fqinje që nuk janë përmbushur.

“Gjithashtu, duam të theksojmë se procesi i integrimit evropian vazhdon të jetë prioriteti ynë i rëndësishëm. Ne kemi besim se progresi dhe kontributi ynë për stabilitetin dhe sigurinë rajonale, si dhe përkushtimi ynë për reforma, do të vlerësohen siç duhet nga Bashkimi Evropian”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Ky reagim vjen pas një deklarate të Ministrisë së Punëve të Jashtme greke ku thuhet se Qeveria e RMV-së po i rikthehet veprimeve të së kaluarës që tregojnë për irredentizëm dhe mosnjohje të plotë të historisë.

Përveç Mitsotakis, kryeministri bullgar në detyrë Dimitar Glavçev në Samitin e BE-së në Bruksel ngriti çështjen e respektimit të detyrimeve të Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt BE-së.

Glavçev, në Bruksel, hapi temën për zhvillimet në vend gjatë javëve të fundit. Siç raporton BTA, ai theksoi “sfidat serioze që shfaqen në raport me perspektivën evropiane të vendit kandidat për anëtarësim në BE”.

Me Marrëveshjen e Prespës të vitit 2018, emri kushtetues i shtetit u ndryshua nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut. Kjo marrëveshje i hapi rrugën anëtarësimit në NATO.