Në dy shkolla në Kumanovë janë regjistruar vetëm nga 5 nxënës, në “Vuk Karaxhiq” dhe në Kleçovcë
Në gjashtëmbëdhjetë shkolla fillore të Komunës së Kumanovës në muajin maj janë regjistruar gjithsej 923 nxënës për klasën e parë për vitin shkollor 2024/25. Në bazë të të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) sipas evidencave të lindjeve, këtë vit duhet të fillojnë klasën e parë 1508 nxënës të lindur në vitin 2018.
“Ky nuk është numri përfundimtar i nxënësve të regjistruar, ka prindër që ende nuk i kanë regjistruar fëmijët, ka prindër që janë në punë të përkohshme jashtë vendit, ka edhe familje të tëra që kanë emigruar. Presim më shumë fëmijë deri në shtator, siç ishte edhe vitin e kaluar. Numrin përfundimtar do ta dimë në shtator dhe më pas mund të konstatojmë dhe analizojmë”, thonë nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Kumanovës.
Më së paku nxënës të klasës së parë, nga 5, janë regjistruar në shkollat fillore “Vuk Karaxhiq” dhe “Vera Kotorka” në fshatin Kleçovcë, ndërsa më së shumti 134 në shkollën “Koço Racin” në lagjen “Goce Dellçev”, të cilët do të shpërndahen në 9 klasa.
“Në shkollat fillore “Braqa Miladinovci” në 7 paralele janë të regjistruar 119 nxënës, në shkollëm “Naim Frashëri” 116 nxënës në 6 paralele, në “Krste Misirkov” 103 në 5 paralele, në “Hristian Karposh” 93 në 7 paralele, në “Bajram Shabani” 86 në 6 paralele, në ‘Magdalena Antova’ 70 nxënës në 3 paralele, në ’11 Tetor’ 44 në 4 paralele, në ‘Jeronim De Rada’ 40 nxënës në 4 paralele, në ‘Toli Zordumis’ 35 nxënës në 5 paralele, në ‘Kirili dhe Metodi’ në fshatin Romanovcë 27 nxënës në 4 paralele, i njëjti numër në ‘Kongresin e Manastirit’ në fshatin Lopate 27 në 3 paralele, ‘Braqa Ribar’ në fshatin Tabanoc 10 nxënës në 4 paralele dhe në ‘Karposh’ në fshatin Umin Dol 9 nxënës në 2 paralele”, njoftoi Komuna e Kumanovës.
Sipas shifrave aktuale do të ketë klasa me nga dy deri në njëzet nxënës të klasës së parë.
Këtë vit janë regjistruar 124 nxënës të klasës së parë më pak se vitin e kaluar, kur ishin regjistruar 1047.
Në vitin 2017, lindën 1097 fëmijë dhe u regjistruan 1047 nxënës të klasës së parë, 50 më pak se sa pritej.