Maqedoni

Ageler: Siguria energjetike dhe energjia e gjelbër janë prioritete që duhet t’i tejkalojnë politikat partiake

Shkup, 11 qershor 2024 (MIA) – Siguria energjetike dhe energjia e gjelbër janë dy prioritetet që do duhet të tejkalojnë politikat partiake, porositi sot ambasadorja amerikane në vend, Anxhela Ageler.

Duke iu drejtuar edicionit të shtatë të Forumit energjetik të Maqedonisë (FEM) që mbahet në Shkup, Ageler tha se Maqedonia e Veriut në masë të madhe është rikuperuar nga mjedisi i paqëndrueshëm energjetik, por ka ende sfida reale para vetes. Sipas saj, vendi duhet të përfundojë gazsjellësin me Greqinë i cili do të eliminojë, siç tha ajo, “varësinë nga Rusia dhe kërcënimet e caktuara rreth furnizimit”.

“Me interkonektorin, Maqedonia e Veriut do të mund të ndërtojë termocentrale me gaz dhe të lehtësojë tranzicionin e vendit nga qymyri në burime të tjera”, thekson Ageler duke shtuar se Maqedonia e Veriut ka mbështetjen e SHBA-së për zbatimin e tranzicionit të gjelbër.

Në forum do të bisedohet edhe vendosja e sigurisë energjetike në rajon, transformimi i infrastrukturës energjetike, qëndrueshmëria ekologjike, aplikimi i teknologjisë dhe inovacionit, si dhe financimi i reformave drejt tranzicionit të gjelbër.

Në vazhdim vijon fjalimi i mandatarit Hristijan Mickoski i cili theksoi se efikasiteti energjetik do të jetë një nga prioritetet e qeverisë së ardhshme.

Para tij foli edhe ambasadori i BE-së në vend Dejvid Gir i cili edhe një herë shprehu mbështetjen evropiane për reformat e vendit drejt tranzicionit të gjelbër.