Presidentja Osmani uron Shkurte Fejzën: Në kohët më të vështira u shndërrua në zërin e lirisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë për këngëtaren e shquar shqiptare, Shkurte Fejzën se për gjysmë shekulli jehon cep më cep hapësirës shqiptare.
Tutje, e para e vendit tha se në kohët më të vështira kur synohej shfarosja jonë, ajo i dha gjithë popullit të Kosovës zë nëpërmjet këngës, duke u bërë zëri i lirisë.
Kështu u shpreh presidentja në rastin e 50-vjetorit të karrierës së Shkurte Fejzës.“Zëri i Shkurte Fejzës për gjysmë shekulli jehon cep më cep hapësirës shqiptare. “Xhamadani vija-vija” dhe “Mora fjalë”, janë himnet tona të përbotshme, të përjetësuara nga zëri magjik i të madhes sonë. Në kohët më të vështira kur synohej shfarosja jonë, ajo i dha gjithë popullit të Kosovës zë nëpërmjet këngës. U shndërrua në zërin e lirisë! Urime për 50 vite të arta Shkurte Fejza! Të këndoftë zemra përgjithmonë!”, ka shkruar Osmani në Facebook.