Maqedoni

Spahiu: Serbia ka spiunë edhe në Maqedoni, jo vetëm në Kosovë

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi, ka thënë se në vitin 2012 e kishte takuar një spiun serb, që para luftës “ishte njohur nën pseudonimin ‘Sinani’”, ka deklaruar ai.

Sipas Kajtazit, ky serb vinte nga zyra e kryeministrit të Kosovës.

“Në vitin 93 e kam parë dosjen e njërit, shumëçka por njërit, pseudonimin ‘Sinani’…Fotografinë e kishte të vitit 81, un e shihja foton në 1993-n. Dhe rrodhën ngjarjet, në 2012-n isha i ftuar në një seminar që e organizonte Qeveria e Kosovës në Gjilan. Ulur e shihja dikeë te paneli që po e njoh. I jap rast të përshëndetemi, ai s’më njihte, por unë e njihja. Kur e përmendi emrin doli se ishte ky tipi ‘Sinani’ që vinte nga Zyra e kryeministrit të Kosovës”, ka shtuar Kajtazi.

Spahiu: Është e sigurt që Serbia ka bashkëpunëtorë në institucionet tona dhe nuk janë pak

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, ka deklaruar se është i sigurt që brenda institucioneve të Kosovës ka zyrtarë që bashkëpunojnë me shërbimi inteligjente serbe.

Ai ka deklaruar të enjten në “Konfront” të KTV-së se BIA serbe angazhon njerëz edhe jashtë Serbisë që të ndikojë në vendet fqinje.

“S’e di kush mund të jetë që në ingranazhe të shtetit të Kosovës të punojnë për BIA-n, por aty jam i sigurt se Serbia s’do të ishte Serbi nëse s’do të kishte njerëz të shërbimit inteligjent në Kosovë, Maqedoni, Bosnjë e në Shqipëri ku pretendon të ketë ndikim politik e kulturor”, ka thënë Spahiu.

Sipas tij, nëse nuk del asgjë nga arrestimi i dy personave nën dyshimin për spiunazh në Kosovë, do të ishte “plus i madh për Serbinë e minus i madh për Kosovën”.

Kajtazi “demanton” avokatin për provat: Cila është arsyeja e bisedës me zyrtarin e BIA-s

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi, ka reaguar ndaj deklaratës së Besnik Berishës, avokatit të B.Sh., i dyshuar për spiunazh te BIA serbe.

Berisha ka thënë se nuk ka prova të mjaftueshme se i dyshuari e ka kryer këtë vepër penale dhe se prokuroria ka dështuar ta kryejë punën e saj.

Kajtazi të enjten në “Konfront” të KTV-së ka thënë se çfarëdo që të jetë arsyeja e bisedës me zyrtarë të BIA-s, shërbimi ndaj tyre është gjëja më e ndyrë që mund ta bëjë dikush.

“Cila është arsyeja e një shqiptari të flasë me një oficer të shërbimit të inteligjencës serbe? Le të na thotë dikush. Cila është arsyeja që një shqiptar i Kosovës të flasë me shtetin serb? Nuk ka kurrfarë arsye. Edhe në Bruksel, shqiptari i Kosovës, kryeministër, këshilltar, nëse shkon në takim, nuk guxon t’ia japë dorën zyrtarëve të shtetit serb. Dora e shtetit serb është dora më e ndyrë. Unë kam botuar një libër, ka 12 programe që serbët i kanë bërë për shfarosjen e shqiptarëve. Janë kombi kampion në botë që ka programe për ta shfarosur dikë dhe ne t’i shërbejnë atyre është gjëja më e ndyrë që mund ta bëjë dikush”, ka thënë ai.