Maqedoni

Gashi-Angellov: Nevojitet përmirësim i klimës në marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, sot realizoi takim me ambasadorin e Republikës së Bullgarisë në Shkup, Angel Angellov, ku është biseduar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për avancimin e bashkëpunimit në të gjitha fusha, njoftojnë nga shtypi i Kuvendit.

“Në takim ambasadori bullgar Angellov iu referua zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Bullgari, si dhe zgjedhjeve për Parlamentin Evropian. Ai shprehu besimin se parlamentet e sapozgjedhura në Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë do të krijojnë komunikim të mirë dhe intensiv, veçanërisht përmes grupeve parlamentare të bashkëpunimit.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se është e nevojshme të përmirësohet vazhdimisht klima e marrëdhënieve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, si vende fqinje që janë të përkushtuara për bashkëpunim të vazhdueshëm”, thuhet në njoftim.
Bashkëbiseduesit, shtojnë nga atje, shkëmbyen mendime edhe për bashkëpunimin mes dy vendeve në kuadër të NATO-s, si dhe për perspektivat evropiane të vendit tonë në periudhën e ardhshme.