BallinaMaqedoni

Davkova: Me planin e respektit do ta bind Greqinë se kemi të drejtë ta përdorim vetëm emrin Maqedoni

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova tha se ka plan për ta bindur Greqinë se përveç emrit kushtetues, shteti ka të drejtë të përdorë vetëm emrin Maqedoni, transmeton Portalb.mk.

“Sigurisht se ka plan. Plani është ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore. Plani ofron respekt dhe kërkon respekt dhe mendoj se si në politikë duhet kërkuar arti i së mundshmes, do ta bëjmë së shpejti. Deklarata ime e parë ishte se nuk do të shkoj nëpër botë, se dua të takoj fqinjët e mi dhe mendoj se do ta bëj. Sigurisht që të flasësh ke nevoje për te gjithë rreth teje dhe ne nuk kemi zgjidhje tjetër veç te flasim. Dialogu është një gjë e shëndetshme dhe nëse nuk ka respekt të ndërsjellë nuk do të ketë rezultat. Politika kërkon dialog dhe unë jam e gatshme ta kërkoj atë dhe në këmbim mund t’i kapërcejmë problemet”, tha Davkova.

Ajo nuk pret që Greqia të nisë menjëherë procedurat në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes, pas njoftimeve të tilla në mediat greke.

“E njëjta gjykatë ndërkombëtare, ku ishim me Greqinë, vendosi në lidhje me nenin 11 të marrëveshjes së përkohshme. Është gjithashtu një marrëveshje ndërkombëtare. Nuk besoj se do të shkojë menjëherë në gjykatë. Ka një gradim në Marrëveshjen e Prespës. Fillimisht tregohet, diskutohet, çështja i drejtohet OKB-së dhe më pas shkon në gjykatë. Vendimet e gjykatës duhet të jenë të vlefshme erga omnes, por kjo ka ndodhur në rastin tonë”, tha presidentja Siljanovska Davkova.

Reagimet për Marrëveshjen e Prespës nisën të vijnë, pasi presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, gjatë dhënies së betimit nuk e përdori emrin zyrtar “Maqedonia e Veriut” ashtu siç është rënë dakord me Marrëveshjen e Prespës.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut ka qenë kandidate anëtarësimi në BE që nga viti 2005. Por fillimi i bisedimeve të anëtarësimit u shty për shkak të konfliktit të emrit me Greqinë. Në vitin 2017 u arrit marrëveshje me Greqinë për ndryshimin e emrit, që në vitin 2019 edhe u zbatua. Athina këmbënguli për ndryshimin e emrit Maqedoni, pasi një rajon në veri të Greqisë mban po këtë emër. Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës është e një rëndësie të madhe, pasi menjëherë pas arritjes së saj Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s.