Maqedoni

VAZHDON SEANCA PËR ZGJEDHJEN E KRYETARIT TË GJYKATËS KUSHTETUESE

Pas katër përpjekjeve të djeshme të pasukseshme për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, seanca për zgjedhjen vazhdon sot në orën 10 në hapësirat e Gjykatës.

Sipas informacioneve, në seancën për zgjedhjen e cila filloi dje në orën 10 asnjë nga kandidatët e propozuar nuk e ka marrë shumicën e nevojshme. Është votuar për zgjedhje ndërmjet gjykatëseve Tatjana Vasiq Bozaxhieva dhe Ana Pavllovska Daneva.

Kryetari i ri i Kushtetueses do ta zëvendësojë kryetaren e deritanishme Dobrilla Kacarska, mandati trevjeçar i së cilës përfundon më 2 qershor.

Sipas Rregullores, Gjykata Kushtetuese në seancë zgjedh kryetarin e Gjykatës nga radhët e gjykatësve me shumicë prej dy të tretave të votave të numrit të përgjithshëm të gjykatësve, me votim të fshehtë.

Krahas Kacarskës, gjykatës aktualë në Gjykatën Kushtetuese nga të cilët deri në fund të muajit njëri do ta marrë funksionin e kryetares janë Naser Ajdari, Osman Kadriu, Darko Kostandinovski, Fatmir Skender, Tatjana Vasiq Bozaxhieva, Elizabeta Dukovska, Jadranka Daboviq Anastasovska dhe Ana Pavlovska Daneva.

Çdo gjykatës mund të propozojë kandidat për kryetar të Gjykatës Kushtetuese.

Propozimin për kandidat për kryetar të Gjykatës Kushtetuese e cakton një komision prej tre gjykatësish të zgjedhur nga shumica e numrit të përgjithshëm të gjykatësve.

Nëse kandidati nuk e merr shumicën e nevojshme të votave, procedura për zgjedhjen e kryetarit përsëritet.

Dobrilla Kacarska në konferencë për media për mandatin e saj trevjeçar tha se e përfundon me ndjenjën e përmbushjes, e udhëhequr nga ideja se drejtësia do të jetë gjithmonë e domosdoshme.

Një pjesë e aktiviteteve të realizuara në mandatin e saj që i potencoi ishin Akti i cili e rregullon punën e Gjykatës Kushtetuese dhe mënyra në të cilën qytetarët mund të drejtohen, buxheti i rritur, ulja e numrit të lëndëve të vjetra, kapaciteti i plotë i Gjykatës Kushtetuese dhe transparenca e rritur.

Mandati i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese është tre vjet, pa të drejtë të rizgjedhjes.