BallinaMaqedoni

Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve: Bankat të respektojnë ligjin për përdorimin e gjuhëve

Bankat duhet ta respektojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe të veprojnë në bazë të ligjit, thotë drejtori i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, Fatmir Iseni. Sipas tij, ka pasur disa zbrazëtira në këtë ligj, prandaj i njëjti ka kërkuar mendim nga Ministria e Drejtësisë, përpara se të ndërmerret ndonjë veprim ndaj bankave.
“Të gjitha bankat duhet ta respektojnë Ligjin dhe të veprojnë në bazë të ligjit dhe çdo dokumentacion zyrtar që del nga institucionet, banka duhet ta pranojë. Në fillim kishim disa paqartësi sa i përket Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe Ligjit të Inspektoratit për Bankat, ashtu, ne si institucion si IPGj, kërkuam mendim nga Ministria e Drejtësisë, para disa ditëve e kemi marrë edhe mendimin e Ministrisë së Drejtësisë, ku në atë mendim është shkruar që bankat duhet ta respektojnë Ligjin  dhe të veprojnë në bazë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.”, – deklaroi drejtori i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, Fatmir Iseni.
Ministria e Drejtësisë ndaj kërkesës së Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, nëse bankat duhet të pranojnë dokumente zyrtare në gjuhën shqipe, është përgjigjur.
“Ligji për përdorimin e gjuhëve përcakton se gjuhë zyrtare, përveç gjuhës dhe shkrimit maqedonas, është gjuha dhe shkrimi që e flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe duhet të përdoret nga bankat dhe personat e tjerë juridikë që ushtrojnë kompetenca publike në përputhje me ligjin gjatë mbledhjes së dispozitave dhe burimeve të tjera të kthyeshme të mjeteve.”, thuhet në komunikatën e lëshuar për mediat nga Ministria e Drejtësisë.
Edhe Agjencia për Zbatimin e Gjuhës, mbeti e qëndrimit se bankat private në Maqedoninë e Veriut obligohen të pranojnë dokumente zyrtare në gjuhën shqipe të lëshuara nga institucionet shtetërore dhe të zbatojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
“Cilido institucion publik, personat juridikë që kryejnë autorizime publike, përfshi personat juridikë privatë, janë të detyruara të pranojnë çdo dokument që del nga institucionet publike të RMV-së, qoftë dygjuhësh apo disagjuhësh. Personat juridikë privatë themelohen nga aktet e ndryshme juridike që dalin prej institucioneve publike, dhe si të tilla, duhet të zbatojnë çdo ligj që lidhet me klientin e tyre, përfshi edhe atë të gjuhës.”, thuhet në komunikatën e lëshuar për TVM2 nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhës.
Inspektorati për përdorimin e gjuhëve: Qytetarët të drejtojnë ankesa me shkrim
Nga Inspektorati thanë se do të mbikëqyrin zbatimin e gjuhës shqipe nëpër banka dhe nëse kjo nuk respektohet, Inspektorati do të veprojë, por qytetarët duhet të bëjnë ankesë me shkrim që ekipet inspektuese të dërgohen në terren.
“Çdo ankesë që do të arrijë tek ne, menjëherë do të veprojmë dhe do të bëjmë mbikëqyrje inspektuese të bankave. Ashtu që u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të cilëve u cenohet e drejta e tyre, që e kanë të garantuar me ligj, të bëjnë ankesë tek Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, që ne pastaj të veprojmë.”, – theksoi drejtori i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, Fatmir Iseni.
Në bazë të ligjit IPGj-ja, fillimisht u jep vërejtje institucioneve që t’i shmangin lëshimet për mosrespektimin e gjuhës shqipe, nëse ato institucione, qofshin edhe bankat, i anashkalojnë vërejtjet, pastaj bëhet mbikëqyrje kontrolluese dhe fillon proceduara për kundërvajtje. Problematika për (mos)përdorimin e gjuhës shqipe nga ana e bankave u hap në shkurt të vitit 2024 nga organizata qytetare “Më mirë për Tetovën”./TVM2