Pas shtatë ditësh, kumanovarët furnizohen me ujë të pijshëm
Qytetarët e Kumanovës pas shtatë ditësh ndalesë sërish mund ta pinë ujin, me të cilin furnizohen nga Ujësjellësi i qytetit. Këtë të mërkurën pasdite e bënë të ditur nga Qendra për Menaxhim me Kriza në Kumanovë dhe organet kompetente komunale të qytetit të Kumanovës.
“Pas kontrollit nga ana e Inspektoratit dhe pas rezultateve të marra nga QShP-ja, nga mostrat e kontrolluara të ujit nga data 25, 26, 27 maj të këtij viti është konstatuar se të njëjtat iu përgjigjen rregullave ligjore e profesionale në lidhje me parametrat e kontrolluara, në pajtim me rregulloren për siguri të ujit për pije, ndërpritet vendimi për ndalesën e ujit të pijshëm. Me këtë i njoftojmë qytetarët se uji në tërë rrjetin e ujësjellësit është i rregullt dhe i njëjti mund të përdoret për pije.”, njoftojnë nga Qendra për Menaxhim me Kriza në Kumanovë.
Të përkujtojmë se Kumanova për shtatë ditë mbeti pa ujë të pijshëm si pasojë e ndotjes së ujit nga shirat e rrëmbyeshëm dhe breshëri i madh që përshiu Komunën e Likovës. Ndryshe Kumanova me ujë furnizohet nga Diga e Likovës dhe gjatë shirave të rrëmbyeshëm në stacionin e filtrimit në Kumanovë, uji ishte i ndotur dhe me baltë. Andaj është dashur një javë që të pastrohet tërësisht.