Maqedoni

Kacarska mbaroi mandatin 3-vjeçar, pasardhësi i saj bëhet i ditur në fund të javës

Dobrila Kacarska përfundoi mandatin e saj trevjeçar në krye të Gjykatës Kushtetuese. Mandati i saj skadon më 2 qershor, ndërsa  ajo mbetet gjykatëse në Gjykatën Kushtetuese. Ajo gjatë llogaridhënies për udhëheqjen e Gjykatës Kushtetuese, punën e saj e vlerësoi si të suksesshme dhe edhe pse gjatë mandatit të saj ka punuar me numër minimal të gjykatësve kushtetues, sërish është arritur sukses që të përgjigjet ndaj të gjitha parashtresave që janë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese.
“Dukshëm u ul numri i lëndëve të vjetërsuara, disa prej të cilave janë ruajtur dhjetë vite, me statistikat që disponojmë tregojnë se ka rritje të akteve që janë shfuqizuar apo në të kaluarën rrallë ka ndodhur që të sillen vendime për shfuqizim. Në këtë mandat ka 78 vendime me të cilat shfuqizohen ligje, akte dhe rregullore tjera. Bëhet fjalë për ligje dhe akte nga përbërje të ndryshme parlamentare, fakt që flet për paanshmërinë e Gjykatës Kushtetuese.”, – deklaroi kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska.
Kacarska po ashtu ka shtuar se nuk ka kaluar asnjë javë pa marrë një kërcënim. Është sulmuar edhe fizikisht dhe janë shpeshtuar edhe kërcënimet për  të cilat deri më tani nuk ka epilog. E pyetur se a është në kundërshtim me Kushtetutën, kryeministri teknik, Talat Xhaferi, të vazhdojë detyrën, edhe pse ka marrë mandatin e deputetit, Kacarska me përgjigje se edhe në të kaluarën ka pasur raste të  tilla.
“Për të gjitha ngjarjet që për momentin ndodhin në shtet, unë nuk do të mundem të jap përgjigje, sepse është e mundur të kemi edhe një iniciativë të tillë, por e di se ka një praktikë të tillë që edhe në të kaluarën kryeministrat teknikë kanë vazhduar të kryejnë këtë funksion.”, – theksoi kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska.
Zgjedhja e kryetarit kërkon miratimin e dy të tretave të numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve përmes një votimi të fshehtë. Në rast se kandidati nuk arrin të marrë këtë shumicë, procedura e zgjedhjes do të përsëritet. Kandidatët që janë në garë për kryesimin e Gjykatës Kushtetuese përfshijnë Naser Ajdarin, Osman Kadriun, Darko Kostadinovskin, Fatmir Skenderin, Tatjana Vasiq Bozadzievan, Elizabeta Dukovskan, Jadranka Daboviq Anastasovskan dhe Ana Pavlovska Danevan. Këta individë janë gjyqtarë aktualë të Gjykatës dhe njëri prej tyre pritet të zgjidhet si kryetar deri në fund të muajit.