Ndryshimet klimatike ndikojnë në rritjen e virozave
Ndryshimet klimatike ndikojnë në shëndetin e njeriut, duke sjellë një fluks më të madh të pacientëve, që prek më shumë fëmijët, thotë mjekja, Ajsel Fazliu. Thekson se pacientët më shumë ankohen nga rrugët e sipërme të frymëmarrjes, pastaj me kollitje, dhimbje të fytit, ethe, rritje të temperaturës dhe plogështi.
“Tek pacientët, simptomat mund t’u zgjasin varësisht nga koha që paraqiten prej një deri në dy ditë, ndërsa tek ato që kanë sistem imunitar më të dobët, simptomat mund t’u zgjasin deri në një javë.”, – theksoi mjekja, Ajsel Fazliu.
Ndryshimet klimatike e dëmtojnë shëndetin e njeriut, sidomos të personave me sëmundje kardiovaksulare, me diabet dhe atyre me imunitet më të dobët. Mjekja Fazliu thotë që personat e sëmurë duhet të izolohen, që të mos përhapet virusi tek të tjerët.
“Duke filluar nga njerëzit e sëmurë, duhet një kohë të izolohen, që mos të bëhet përhapja e virusit apo e sëmundjes në përmasa më të mëdha. Duhet ata që janë të sëmurë të vijnë të vizitojnë mjekët, të mos marrin terapi pa rekomandime mjekësore. Mund të themi edhe vet mjekimi me anë të rehidrimit, marrja e vitaminave, izolimi në kushte shtëpiake dhe çlodhja.”, – u shpreh mjekja, Ajsel Fazliu.
Mjekët gjithashtu rekomandojnë për kujdes të shtuar në këto ndryshime klimatike, si dhe përdorim të ushqimit të shëndetshëm me minerale dhe vitamina.