Dita ndërkombëtare e fëmijëve të zhdukur, 300 mijë fëmijë zhduken brenda vitit në të gjithë Evropën
300 mijë fëmijë zhduken brenda vitit në të gjithë Evropën, familjet e tyre përjetojnë traumën dhe dhimbjen, prandaj është shumë e rëndësishme në atë moment të jenë të informuar se çfarë hapash konkrete duhet të ndërmerren. Themeluesi i Qendrës Evropiane për Fëmijët e Zhdukur “Amber Alert Europe”, Frank Hohen, thotë se raportimi në kohë është pikë kthese shumë e rëndësishme.
“Duke u ndihmuar prindërve me njohuritë dhe resurset e nevojshme, kemi për të përmirësuar kohën e reagimit dhe të rrisim shanset për ribashkimin e sigurt dhe të shpejtë të fëmijëve të humbur me të dashurit e tyre. Raportimi është një moment kyç në përpjekjet tona të vazhdueshme për të mbrojtur fëmijët dhe për të mbështetur familjet gjatë situatave të tilla krize.”, – deklaroi themeluesi i “Amber Alert Europe”, Frank Hoehn.
“Verifikoni, Mendoni, Raportoni”, është motoja e kësaj nisme me rastin e Ditës Ndërkombëtare të fëmijëve të zhdukur, e cila do të jetë aktive në 16 shtete, si dhe 14 gjuhë. Kjo nismë e drejtuar për prindërit dhe kujdestarët ofron këshilla të plota hap pas hapi se çfarë duhet bërë në rast të një fëmije të humbur. Fushata fillon paralelisht në të gjitha shtetet e Evropës, nga Ministritë e Punëve të Brendshme, policia kombëtare dhe organizatat kryesore jofitimprurëse të dedikuara për mbrojtjen e fëmijëve.
“Emri i fushatës përcakton këshillën e saj kryesore: “Verifiko” për të konfirmuar mungesën e fëmijës. “Mendoni për këtë”, për të rikujtuar detajet më të rëndësishme dhe për të vlerësuar situatën dhe “Raporto”, për të alarmuar menjëherë autoritetet.”, sqarojnë nga MPB-ja.
Çdo vit, mijëra familje në mbarë botën përjetojnë traumën e një fëmije të humbur. Në raste të tilla, është shumë e rëndësishme të dish se çfarë hapash duhet të ndërmerrni.
Ministria e Punëve të Brendshme e RMV-së, në fillim të vitit 2024 nënshkroi memorandum mirëkuptimi me Fondacionin “Amber Alert Evropa” dhe me iniciativë edhe shteti ynë është pjesë e kësaj fushate dhe i kyçur në sistemin për rastet që lidhen me fëmijët e zhdukur, njoftojnë nga MPB-ja. Në tre vitet e fundit, gjashtë fëmijë nën moshën 14 vjeç të zhdukur në Maqedoninë e Veriut nuk janë gjetur ende. Kërkimet janë aktive edhe për fëmijët nga vendi, të zhdukur disa vite më parë dhe prej të cilëve nuk ka asnjë gjurmë.