Shaqiri priti ambasadorin e Arabisë Saudite, bashkëpunim dhe ndihma për komunitetin mysliman
Reisi i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, ka pritur në një takim zyrtar ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, Faisal bin Gazi Hifzi, me të cilin kanë biseduar për gjendjen e komunitetit mysliman në RMV dhe detyrimet të cilat duhet të ndërmerren, me qëllim të rritjes së kapaciteteve të veprimit dhe të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shtetëror. Ambasadori saudit theksoi se ky bashkëpunim ndër vite me BFI-në do të vazhdojë të rritet, dhe në shenjë respekti për marrëdhëniet e shkëlqyeshme që ka me BFI-në, filluan edhe aksionin e ndarjes së 10 tonelatave hurma, të cilat janë dhuratë nga Fondacioni i mbretit Selman bin Abdyl Azis.
“Ndarja e hurmave për besimtarët e RMV-së është një simbolikë e marrëdhënieve të mira mes BFI-së së Maqedonisë me institucionet e Mbretërisë së Arabisë Saudite. Andaj BFI-ja do të bëjë ndarjen e 25 tonelatave të hurmave në të gjithë RMV-në, duke filluar nga myftinitë e Bashkësisë Fetare, të cilat pastaj do t’ua ndajnë atyre të cilët realisht kanë nevojë.”, – deklaroi Reisul Ulema i BFI-së, Shaqir ef. Fetai.
Nga ana tjetër, edhe ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite, tha se përveç bashkëpunimit të ngushtë, Arabia Saudite ka një vëmendje të veçantë për myslimanët këtu, duke u dalë në ndihmë për çdo nevojë që mund të paraqitet.
“Jemi këtu prezent në BFI, që të bëjmë fillimin e shpërndarjes së aksionit, të cilën Mbretëria e Arabisë Saudite në bashkëpunim me qendrën e mbretit Selman, bënë shpërndarjen e 25 tonelatave hurma për myslimanët dhe banorët e RMV-së. Është një aksion që Mbretëria e Arabisë Saudite e bënë çdo vit dhe do të jemi pranë BFI-së dhe myslimanëve të RMV-së çdoherë kur do të ketë nevojë.”, – theksoi ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, Faisal bin Gazi Hifzi.
Shpërndarja e hurmave filloi fillimisht me ndarjen e disa pakove për familjet në nevojë, e të cilët çdoherë janë të ndihmuar nga BFI-ja, e më pastaj shpërndarja filloi të bëhet në të gjitha qytetet e vendit.