Një 44 vjeçar vdes në plazhin e Velipojës, turistët protestojnë për mungesën e ndihmës mjekësore
Vdekja e një 44 vjeçari në plazhin e Velipojës si pasojë e infarktit të pësuar në momentin që ka hyrë në ujë dhe vonesa e ardhjes afro 1 orë e shërbimit mjekësor, i nxori në proteste pushuesit që kanë zgjedhur këto brigje të Adriatikut.
Pjesa më e madhe e tyre të ardhur nga Kosova, e quajnë absurd faktin që ndërsa po hyjmë në gjysmën e muajit qershor, akoma plazhi nuk ka roje bregdetare dhe shërbim mjekësor për t’u ardhur në ndihmë në rrezik mbytjeje.
“Jam nga Gjakova dhe vij këtu që nga viti 2001, vij dy herë në vit. Ne tani që jemi dhe të moshuar vërejmë disa gjëra negative këtu. Së pari pastërtia nuk është në rregull. Pushtetin shqiptar e lus që të ketë mbikëqyrësa ose ndihmësa në bregdet. Për ♪5do vit që vij këtu të paktën 4-5 vdesin. E lus pushtetin, më së shumti Shkodrën që këto mushkonjat që gjenden këtu të spërkaten”, thotë një pushues.
Në rast të mos marrjes së masave të menjëhershme, pushuesit deklarojnë se do të largohen nga bregdeti shqiptar.
Nuk ka vonuar edhe reagimi i shëndetit publik, i cili pas protestës deklaroi se qendra shëndetësor do të hapet që nga kjo e dielë, përpara afatit të caktuar nga ministria e shëndetësisë që është 15 qershori.
“Me rastin që ndodhi dje qendra shëndetësore do të jetë e hapur tani në sezonin turistik. Do të jetë ambulanca 24 orë si çdo vit, të gjitha medikamentet qe ka qendra, stafi komplet do të jetë në gadishmëri. Kërkesa e madhe e pushuesve na bëri që ta hapim qendrën dy dit përpara,” tha Vjollca Vocaj, infermiere në qendrën shëndetësore Velipojë.
Ngjan një paradoks grafiku që ka hartua ministria e shëndetësisë, ku sezoni veror çelet që në maj prej bashkive, atëherë kur edhe nis taksimi i biznesit, ndërsa shërbimi mjekësor dhe ndarja e stacioneve të plazhit ende nuk janë në funksion.