Maqedoni

Samiti në Kotor, liderët ballkanik me deklaratë të përbashkët

Shefat e shteteve dhe qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Samitit të titulluar “Një rajon, vizion i përbashkët”, në Kotor të Malit të Zi, miratuan deklaratën e përbashkët me të cilën e konfirmojnë përkushtimin e vendeve për treg të përbashkët rajonal të orientuar kah përforcimi i kapitalit njerëzor dhe zhvillimin e shkathtësive.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të punojnë me përkushtim në nxitjen e transformimit digjital, mundësimin e mjedisit të volitshëm për afaristët, si edhe rritjen e konkurrencës.

“Duke i njohur sfidat e përhershme dhe serioze të sigurisë, të shkaktuara nga rrethanat aktuale gjeopolitike, a sidomos agresionin rus mbi Ukrainën, liderët e Ballkanit Perëndimor në deklaratë e theksuan përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit në rajon, për të shfrytëzuar dinamikën në politikën e zgjerimit të BE-së.”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratën e përbashkët theksohet se gjashtë vendet janë të përkushtuara ndaj mundësive që i ofron kjo nismë për rajonin, me qëllim që të lehtësohet transformimi ekonomik dhe social i shoqërive, duke e hapur rrugën për anëtarësimin e plotfuqishëm në Bashkimin Evropian, sipas parimit për aderim të bazuar mbi merita gjatë këtij procesi.

“Qëllimi ynë është të lehtësojmë transformimin ekonomik dhe social të shoqërive tona, duke e hapur rrugën për anëtarësimin e plotfuqishëm në Bashkimin Evropian, me këtë rast, duke mbetur të përkushtuar ndaj ruajtjes së parimit për aderim të bazuar mbi merita gjatë këtij procesi.”, thuhet në deklaratë.

Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor  mbeten të përkushtuar ndaj përfundimit të iteracionit të fundit nga Plani i aksionit për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe bëjnë thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjeve paraprake të arritura në kontekstin e tij.

Republika e Maqedonisë së Veriut, edhe pse e pranon deklaratën, shpreh rezerva në drejtim të aktivitetit të mëtejmë për përpilimin e kornizës kohore në raport me kornizat e propozuara të Tregut të Përbashkët Rajonal 2, sepse ballafaqohet me zgjedhjen e pritur të Qeverisë së re.

Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian u organizua nga kreu i shtetit malazez, Milojko Spajiq, ndërsa morën pjesë edhe kryeministri, Talat Xhaferi; kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama; ai i Kosovës, Albin Kurti; liderët tjerë rajonal, si dhe përfaqësues të lartë të ShBA-së dhe BE-së./TVM2