PTHP SHKUP PO GRUMBULLON DHE ANALIZON DËSHMI PËR PALLÇON, HETIMI PËR PESË PERSONAT E TJERË TË DYSHUAR NË FAZËN PËRFUNDIMTARE
Prokuroria ndërmerr veprime hetuese për grumbullimin dhe analizën e dëshmive për të dyshuarin e parë për vrasjen e Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovski, Lupço Palevski Pallço, i cili dje ishte ekstraduar nga Turqia.
Siç njoftuan nga PTHP Shkup, për pesë të dyshuarit e tjerë të dyshuar në këtë procedurë, hetimi është në fazën përfundimtare.
“Për pesë të dyshuar, tre prej të cilëve bashkautorë në krime të rënda – dy rrëmbime dhe dy vrasje brutale, një i dyshuar për asistim në rrëmbimin e një të mituri dhe një i dyshuar se ka ndihmuar për kryerjen e krimit, hetimet janë në fazën përfundimtare” thuhet në kumtesën e Prokurorisë.
Nga aty shtojnë se vazhdojnë të ndërmarrin veprime hetuese në lëndë.
Palevski, i cili vitin e kaluar më 6 dhjetor ishte arrestuar në Balikesir, Turqi, mbrëmë me kolonë prej pesë veturave të Interpolit ishte dërguar në Burgun hetues në Shutkë. Në burg ai është nën regjim special të sigurisë, pa kontakt me të burgosurit e tjerë.
Ai dyshohet për vrasjen e të miturës Vanja dhe Panços nga Velesi, të cilët ishin denoncuar si të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor 2023, ndërsa ishin gjetur të vdekur në afërsi të Velesit dhe në Shkup më 3 dhjetor.
Për bashkëpjesëmarrje në vrasjen akuzohen edhe Velibor Manev, Vllatko Keshishov dhe Bore Videvski të cilët janë në paraburgim në Shkup. Në arrest shtëpiak është edhe babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, i cili dyshohet se ka ndihmuar në grabitje.
Me masa të kujdesit për këtë rast është edhe Stefan Dimovski, shoferi i Pallços, i cili dyshohet për ndihmë gjatë arratisjes.