Taravari: Ja deri kur do të definohen ministritë, drejtoritë dhe punët e tjera
Përfaqësuesit e koalicionit VLEN dhe ato të VMRO-DPMNE-së, deri tani janë takuar vetëm dy herë. Takimi i parë ishte mes Taravarit dhe Mickoskit para zgjedhjeve të 8 majit, ndërsa takimi i dytë ishte mes katër liderëve të VLENit dhe krerët partiak të VMRO-DPMNE-së më 11 maj.
I ftuar në Click Plus në TV21, Taravari thotë se në takimin e dytë u vendosën konturat e qeverisë së ardhshme, u harmonizuan programet dhe VLEN prezantoi tre pikat më kryesore.
“Aty më u vendosën konturat e Qeverisë së ardhshme. Tre pikat kryesore që kishim, i përmenda eurointegrimet, zhvillimi ekonomik dhe e treta lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe shteti i së drejtës”, tha Arben Taravari – VLEN.
Në këtë takim u formuan dhe grupet e punës, të cilat do të negociojnë për ndarje të resoreve.
Taravari pret që deri më 28 maj të definohen të gjitha gjërat dhe të konstituohet përbërja e re e Kuvendit.
“Unë pres që shpallja e Qeverisë të jetë diku prej 1 deri më 5 qershor. Konstituimi i Parlamentit përafërsisht të jetë më 28 maj”
E keni plan si datë pra?
“Kështu është projeksioni, nuk është se kështu sigurt do të jetë. Në ndërkohë ekipet punuese të dy koalicioneve do të negociojnë. Besojmë se deri atëherë do t’i konkretizojmë të gjitha gjërat, me ministri, me drejtori, me programin komplet si duhet”, shtoi Arben Taravari – VLEN.
Por si do të veprojë VLEN nëse VMRO nuk i mbështetë ndryshimet kushtetuese në një afat të caktuar?
“Deri vitin e ri në qoftë se nuk bëhen dhe nuk ka shenja se bëhen ndryshimet kushtetuese, ulemi dhe e shqyrtojmë edhe njëherë por besoj”, tha Arben Taravari nga VLEN.
Çka rishqyrtoni?
“Po edhe pjesëmarrjen tonë në Qeveri”, pohoi Arben Taravari – VLEN.
Dmth edhe?
“Por me sa e shoh nga bisedat me z.Mickoski unë e shoh se ka optimizëm.
Nëse nuk janë gjashtë janë nëntë muaj. Okej është prap prisni të ndryshohen?
“Unë jam optimist se për gjashtë ose nëntë muaj, diku pas vitit të ri mendoj se do t’i kemi ndryshimet kushtetuese”, deklaroi Arben Taravari.
Për atë se çfarë do të përmbajnë ndryshimet kushtetuese, Taravari thotë se heqja e termit 20% për gjuhën shqipe është një prej kushteve kryesore ndërsa në të ardhmen do të ishin të interesuar për një Kushtetutë tërësisht të re, e cila do të reflektonte realitetin etnik dhe demografik të vendit./TV21