UEJL prezantoi ofertën akademike para maturantëve
Nga Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë bëjnë të ditur se ka një tendencë të rritjes të interesimit për studime në gjuhën angleze nga studentë ndërkombëtarë. Pjesa më e madhe janë studentë që studiojnë në gjuhën shqipe, thotë rektori Bexheti.
“Nëse i referohemi 5 ose gjashtë viteve më pas do të shohim se kemi një strukturë multietnike, ku dominojnë studentë që studiojnë pastër në gjuhën shqipe, 20 për qind që studiojnë në gjuhën angleze nga e para dhe 10 për qind që studiojnë në gjuhën maqedonase. Kjo strukturë përfshinë edhe studentët ndërkombëtarë dhe kemi një tendencë të rritjes të interesimit për studim në gjuhën angleze”, deklaroi rektori Bexheti.
Më tej, maturantët janë njohur edhe me infrastrukturën, kampusin universitar,konviktet dhe kabinetet që ofron ky universitet. Sipas rektorit, krahas kësaj, poashtu janë prezantuar edhe bursat që ofrohen nga ky universitet. “Sot do të shpjegohen edhe beneficionet që mund të përfitojnë si ato të bursave studentore që janë të tre kategorive të ndryshme por njëkohësisht edhe të njihen me kushtet infrastrukturore, teknike, organizative por edhe stafin e fakultetit ose me stafin përkatës të secilit program studimor”, nënvizoi Abdylmenaf Bexheti.
Gjatë tërë kohës ka patur shumë maturantë që kanë ardhur në mënyrë të organizuar për të parë ofertën akademike të këtij universiteti, kryesisht bëhet fjalë për nxënës të shkollave të mesme të Maqedonisë Perëndimore dhe jo vetëm. Në kuadër të aktivitetit “Open Day” Fakulteti i Biznesit dhe Ekonomisë organizoi “Gara për Biznes Planin më të mirë”. (koha.mk)