Maqedoni

Rezultati zgjedhor 2024, partitë politike pranojnë rezultatin

Partitë politike pranuan rezultatin zgjedhor të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, ndërsa procesin e cilësuan demokratik. VMRO-DPMNE-ja shpalli fitoren, LSDM-ja pranoi humbjen.  Në bllokun shqiptar, palët kanë interpretime të ndryshme mbi rezultatin. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, porositi se “Fronti Evropian”, si forca e dytë politike në vend, janë përfaqësuesit legal dhe legjitim të shqiptarëve dhe nacionaliteteve të tjera në Front. Porositi që të lihet pas folklorizmi dhe mendjemadhësitë dhe të punohet për të ardhmen dhe stabilitetin e shtetit.
“Ne jemi përfaqësuesit legal dhe legjitim. Sot shteti ynë ka nevojë më së shumti se kurrë për stabilitet për paqe, zero problem me fqinjët, sundim të ligjit dhe fillim të negociatave dhe hapjen e kapitujve të parë dhe mbajtjen e mbledhjeve ndërqeveritare, për fillim të anëtarësimit në BE. Ne mbetemi front i fort i misionarëve deri në realizimin e qëllimeve tona finale.”, – deklaroi Ali Ahmeti nga koalicioni “Fronti Evropian”.
Koalicioni VLEN është fitues absolut dhe për këtë falënderojmë të gjithë qytetarët dhe diasporën, të cilët erdhën dhe e bënë ndryshimin, u shpreh kryetari i lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami. Paralajmëroi koalicionim me VMRO-DPMNE-në për një Qeveri të përbashkët.
“Koalicioni VLEN është fitues absolut i këtyre zgjedhjeve. Ne e kthyem rezultatin në të gjitha qendrat kryesore të shqiptarëve dhe në të gjitha vendet ku shumicë  absolute kanë qenë shqiptarët. Koalicioni VLEN është fitues, prandaj nga nesër vetëm se ne do të shpallim koalicionin e ndryshimit mes VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit VLEN.”, – theksoi Bilall Kasami nga koalicioni VLEN.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, uroi për fitoren historike të popullit, që tregoi vendosmëri dhe mençuri. Që në 100 ditshin e parë nga formimi i Qeverisë premtoi rezultate në punë. Paralajmëroi edhe përgjegjësi për të gjithë ata që bënë krimin dhe korrupsionin.
“Planifikoj që rezultatet dhe puna jonë të ndjehen që në 100 ditshin e parë të formimit të Qeverisë. Në fazë të avancuar dhe në bisedime jemi për një pako të fortë për investime, që do ta ndihmojë ekonominë. Asnjëherë mos e harroni këtë popull që shënoi histori në këto zgjedhje, popull që me këmbëngulje të madhe, besim dhe nder me fletëvotim mundi krimin, korrupsionin, ryshfetet dhe presionet.”, – deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Pas humbjes së thellë historike, kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, tha se do të punojnë për të gjetur shkaqet që kontribuuan në rezultatet dëshpëruese. Bëri thirrje për zgjedhje të reja brendapartiake në nivel qendror dhe lokal.
“Në periudhën e ardhshme, në mënyrë të detajuar do t’i analizojmë këto rezultate dhe në muajt e ardhshëm do të duhet me seriozitet dhe më thellë ta gjejmë burimin dhe arsyet për këtë rezultat dëshpërues. Nuk dua të sjell vendime të përshpejtuara dhe të theksoj fajtorë. Unë dhe kryesia e partisë kemi përgjegjësi, përgjegjësi kanë edhe të gjithë funksionarët e zgjedhur dhe emëruar dhe funksionarët partiak në nivel lokal dhe qendror.”, – u shpreh kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.
Pas rezultatit të dobët në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, në Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë kanë vijuar dorëheqje.