Maqedoni

Indeksi i “Reporterëve pa kufij”, RMV-ja ngjitet për dy pozita

Maqedonia e Veriut zë vendin e 36-të në Indeksin vjetor të Lirisë së Medias të organizatës ndërkombëtare “Reporterët pa kufij”, e cila përfshin 180 vende. Krahasuar me vitin e kaluar, shteti shënoi një kërcim prej dy vendesh, por vihet re edhe një polarizim i thellë politik. Gjithashtu theksohet se “zyrtarët e qeveritarët priren të kenë qëndrime të këqija dhe degraduese ndaj gazetarëve”. Sipas gazetarit Xhenur Iseni, sulmet ndaj gazetarëve duhet të cilësohen si sulme ndaj zyrtarit publik dhe njëkohësisht t’u mundësohet liria e shprehjes.

“Është për t’u përshëndetur fakti kur u propozua ligji, që sulmi ndaj gazetarit të trajtohet si sulm ndaj zyrtarit publik, do të ishte një veprim apo akt shumë i mirë nga ana e autoriteteve dhe me këtë gazetari do të ndjehet më i sigurt. Jemi dëshmitar kur para disa javëve kur u sulmuan gazetarët u arrestuan dhe u liruan më pas dhe kjo lë një njollë të keqe edhe jashtë vendit, dhe është për t’u përshëndetur edhe përparimi i pjesshëm, pasi që në të kaluarën edhe ky përparim nuk ka ekzistuar.”, – theksoi gazetari, Xhenur Iseni.

Në raportin e organizatës ndërkombëtare “Reporterët pa kufij” vërehet mosbesim i lartë në media.

“Megjithëse gazetarët nuk punojnë në një mjedis armiqësor, keqinformimi i përhapur dhe mungesa e profesionalizmit kontribuojnë në rënien e besimit të shoqërisë në media, gjë që ekspozon mediat e pavarura ndaj kërcënimeve dhe sulmeve.”, thekson organizata ndërkombëtare “Reporterët pa kufij”.

Krahasuar me vendet e rajonit, megjithatë, Maqedonia e Veriut renditet më e mira. Pasohet nga Mali i Zi (40), Sllovenia (42) dhe Kroacia (48). Kosova është në vendin e 75-të, Bosnja dhe Hercegovina në vendin e 81, Serbia në të 98-ën dhe Shqipëria në të 99-ën./TVM2