Maqedoni

Zgjedhjet 2024, “E Majta” vazhdon fushatën parlamentare

Partia “E Majta” vazhdon aktivitetet parazgjedhore në të gjitha njësitë zgjedhore në kërkim të mbështetjes nga qytetarët për kandidatët e saj për deputetë. Borisllav Kërmov, bartës i listës së njësisë së tretë zgjedhore, duke shpalosur programin për bujqësinë premtoi qendra shtetërore të grumbullimit.

“Për bujqit çka është më e rëndësishme të kemi qendra shtetërore të grumbullimit, që bujqit të mund të fitojnë çmime korrekte. Bujqit më tregojnë, merreni vetëm qumështin, çmimi është sjellë në nivel që të jetë më i lirë se uji i ambalazhuar.”, – theksoi bartësi i listës në njësinë e 3-të nga “E Majta”, Borsillav Kërmov.

Nga “E Majta” nuk kanë munguar edhe kritikat në adresë të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së. Sashko Jançev, bartës i listës në njësinë e katërt zgjedhore, vlerësoi se LSDM-ja është parti e dështuar, pasi e ka shkelur interesin e popullit të saj për interesin e ambasadave. Ndërsa ambasadat në fund ia kanë themeluar Lëvizjen “E di”, tha Jançevi. Ai e kritikoi edhe LSDM-në dhe VMRO-DPMNE-në se janë fajtore për amnistimin e rasteve të Hagës, Marrëveshjen e Prespës apo atë me Bullgarinë.

“Populli në Meçkin Kamen grumbullohej për të shprehur mospajtim me marrëveshjen e Prespës, ndërsa Mickoski bënte shëtitje. Në prag të referendumit derisa 11 muaj udhëheqnim fushatë për bojkot, ai rrinte në heshtje dhe e priste ditën e referendumit dhe pasdite iu kujtua të dalë e të thotë se do të bojkotojë.”, – u shpreh bartësi i listës në njësinë e 4-të nga “E Majta”, Sashko Jançev.

Aktivitetet parazgjedhore të “Së Majtës” nuk mungojnë edhe në njësinë e gjashtë zgjedhore. Bartësi i listës, Igor Dimeski, ka thënë se mbrojtësit maqedonas janë lënë në harresë nga institucionet.

“T’u them jam i habitur se në çfarë niveli janë lënë nga shteti, ata janë qytetarë të rendit të dytë. Ligji që është miratuar e që është ligj i keq nga viti 2002, edhe ashtu i keq, ai nuk respektohet fare.”, – deklaroi bartësi i listës në njësinë e 6-të nga “E Majta”, Igor Dimeski.

Dimeski njëherit vlerëson se nevojitet një ligj i ri, që do të rregullonte këtë çështje.