Mickoski mohon të jetë folur për ndarje resorësh, zyrtarët e VLEN-it pohonin se është folur për sektorë në MPB
Të gjithë krerët e VLEN-it janë takuar me Mickoskin dhe kanë diskutuar për ndarjen e resorëve, pohoi para dy ditësh në Click Plus Zeqirija Ibrahimi nga koalicioni VLEN.
“Po! Dhe ne kemi kërkuar që të marrim përgjegjësi në sektorët për luftën kundër korrupsionit2, tha Zeqirija Ibrahimi, VLEN.
Këtë sot e konfirmoi edhe vetë kreu i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti, duke thënë se intenca e VLEN është që të udhëheqin me resorë të rëndësishme në Ministrinë e Punëve të Brendshme por edhe në sektorë për luftë kundër krimit dhe korrupsionit.
“Një ndër shtyllat e programit tonë është edhe lufta kundër korrupsionit dhe zbatimi i ligjit. Kështu që intenca jonë do të jetë të kemi përfaqësim edhe në resorët e Punëve të Brendshme e të tjera. Intenca është se disa segmente të shtetit nuk janë udhëhequr asnjëherë nga shqiptarët në këto 30 vite dhe do të pretendojmë që të thyhet akulli edhe në këto dikastere”, theksoi Izet Mexhiti, VLEN.
Një ditë më parë zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski për TV21 e konfirmoi se ka pasur takim mes Mickoskit dhe krerëve të VLEN. Megjithatë kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, mohon të ketë folur për ndarje resorësh dhe shton se as nuk i bie ndërmend të flet për punë të tilla para 8 majit.
“Unë e informova opinionin atë që pata ta informoj. Ajo është biseda telefonike me z.Arben Taravarin të cilin e urova për rezultatin jashtëzakonisht kualitativ pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale”, tha Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE.
-Mirëpo flitet se ditëve të fundit ka pasur bisedime për resorë…
“As në mend nuk më bie të flas për zgjidhje kadrovike derisa nuk kalon 8 maji, derisa të shihen rezultatet dhe numrat”, pohoi Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE.
-D.m.th. nuk është e vërtetë?
“Jo, jo!”, theksoi Mickoski.
Tema për ndarje resorësh nisi ditë më parë, kur një prej krerëve të koalicionit VLEN, Afrim Gashi, në një konferencë për media ku tha se në Qeverinë e ardhshme, pos tjerash, VLEN si përfaqësuese e shqiptarëve do të drejtojë institucione të rëndësishme të punëve të brendshme, që janë përgjegjëse për sanksionimin e krimit dhe korrupsionit. Bisedimet për ndarje resorësh para mbajtjes së zgjedhjeve të 8 majit është kritikuar fort nga koalicioni Fronti Europian.