12 vjet nga rasti “Monstra”, Aziri: BDI i montoi shqiptarët!
Në 12 vjetorin e aksionit policor “Monstra”, Sabri Aziri, familjar i disa prej të dënuarve në këtë çështje, ka akuzuar drejtpërdrej partinë shqiptare BDI, për montimin e këtij rasti. Sipas Azirit, BDI-ja përmes këtij rasti u mundua t’i nënçmojë shqiptarët.
“Sot është 12 vjetori i rastit të montuar Monstra, ku BDI-ja me aparatin shtetëror i montoi shqiptarët, tentoi t’i nënçmojë shqiptarët, t’i etiketojë si vrasës dhe si terroristë. Deri kur aparati shtetëror do të përdoret për njollosjen e shqiptarëve. Ne nuk kemi problem me gjithë BDI-në. Ne kemi problem me kryesinë e BDI-së e cila ka mendësi leniniste dhe putiniste. Mendësia leniniste vret dhe likuidon secilin që nuk mendon sikur kryesia e BDI-së, mendësia leniniste, shantazhon njerëz, monton njerëz, mendësia leniniste shpërngulë popullatë që është kritike apo nuk mendon si ata. Mendësia leniniste mban peng njerëzit me lëndët e tyre, punët e tyre, hallet e tyre. Nuk ka ndodhur asnjë pushtet dhe asnjë okupator t’i shpërngul shqiptarët sikur janë shpërngulur në këto 20 vitet e fundit. Problemi është brenda edhe në BDI. Ne nuk nuk mund t’i fajësojmë të gjithë ata se brenda kanë edhe njerëz të zot të cilët nuk mund të vijnë në shprehje shkaku se ke në kandidaturat për deputetë në listat e tyre ke njerëz që janë në listën e zezë amerikane. Nuk kalon ky mllef dhe ky marketing se gjoja ne jemi “Fronti Evropian” dhe me lista të zeza. Kjo nuk kalon te populli. Këtë “Frontin Evropian” unë e kisha quajtur “Fronti i ferrit” sepse i ka dëmtuar shqiptarët jashtë mase, i ka nënçmuar shqiptarët. U bë halli i shqipfolësit t’i nënçmojë shqiptarët dhe t’i quaj shqiptarët vrasës dhe shqiptarët mysliman terrorist. Këtë etiketim është dashtë dhe ka dashtë BDI-ja me pushtetin që e ka përdorur të nënshtron dhunë dhe pushtet mbi shqiptarët. Kjo më nuk kalon sepse gjeneratat kanë ndryshuar”, tha Sabri Aziri, familjar i disa prej të dënuarve në rastin”Monstra”.
Sot bëhen 12 vjet nga aksioni policor “Monstra” për vrasjen e katër të rinjve dhe një peshkatari në Liqenin e Smillkovës, në dalje të Shkupit.
Për shkak të akuzave se bëhet fjalë për rast të montuar, në vitin 2017, Supremja e riktheu në shkallë të parë “Monstrën”. Pas rigjykimit 5 persona u shpallën fajtorë. Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq, në mungesë u dënuan me burg të përjetshëm, njëjtë sikurse edhe Agim Ismailloviq për veprën “terrorizëm”, Fejzi Aziri u dënua me 15 vjet heqje lirie, ndërsa Haki Aziri me 9 vjet burg. Sami Luta u shpall i pafajshëm. Vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës ndodhi më 12 prill të vitit 2012.