MPJ shënon 55 vjet diplomaci, Osmani veçon anëtarësimin në OKB dhe NATO
Në pamundësi për të realizuar evente të mëdha politike për shkak të fushatës zgjedhore, Ministria e Punëve të Jashtme dhe udhëheqësi i këtij dikasteri, Bujar Osmani, vetëm përmes një press konference ka shënuar dhe ka uruar gjithë punonjësit në këtë Ministri ditën e 29 Prillit, apo siç njihet dita e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Pikërisht sot kjo ministri feston 55 vjetorin apo më shumë se gjysmë shekulli nga krijimi dhe zhvillimi i shërbimit diplomatik, duke krijuar edhe ekipe të suksesshme nga diplomatët dhe të punësuarit, që me përkushtimin e tyre kanë treguar rezultate të shkëlqyeshme.
“Historia e Ministrisë 55-vjeçare shënon mënyra dhe vendosje të ndryshme të veprimit diplomatik të kushtëzuara edhe nga ndryshueshmëria e kushteve gjeopolitike dhe e politikave të jashtme ndër vite. U bëmë anëtarë të NATO-s, filluam negociatat me Bashkimin Evropian, arritëm përputhje të plotë me politikat e jashtme të Bashkimit Evropian, filluam dialogun strategjik me ShBA-në, u përgjigjëm me sukses kërcënimeve të paraqitura nga agresioni rus ushtarak në Ukrainë, etabluam Prespa-Forumin për dialog, u bëmë anëtar me të drejta të plota në bashkëpunim ekonomik të Detit të Zi, si dhe profesionalizuam shërbimin diplomatik.”, – deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Osmani po ashtu theksoi se RMV-ja siç ka qenë deri më tani, do të duhet ta vazhdojë rrugën e saj të marrëdhënieve të mira ndërshtetërore dhe profesionalizimin e shërbimeve për diasporën.
Ajo që u bë sipas tij, në këtë Ministri edhe diplomatët e saj të veçantë është angazhimi i tyre i fuqishëm dhe i paluhatshëm në drejtim të etablimit e RMV-së në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke u anëtarësuar si anëtare e plotfuqishme në të gjitha organizatat më të fuqishme globale.
RMV-ja sipas Osmanit ka treguar se është partnere e fuqishme dhe bashkëpunuese me aleatët ndërkombëtar dhe ka zgjatur dorën e ndihmesës çdoherë edhe kur të tjetër kanë kërkuar ndihmë, por është shndërruar edhe si lider i rajonit, duke qenë iniciator për tejkalimin e dallimeve politike me fqinjët.