Rëndohen shpenzimet mujore të qytetarëve
Përderisa fushata parazgjedhore ka marrë vëmendjen e qytetarëve, syçelë janë bizneset private të cilët nuk hezitojnë të shfrytëzojnë rastin për rritje të çmimeve. Në këtë periudhë është vërejtur një rritje e lehtë e disa artikujve ushqimorë duke ndikuar drejtpërdrejtë në rritjen e kostos mujore të familjeve. Në muajin prill shporta e konsumit minimal ka arritur në 60.212 denarë, thonë nga Lidhja Sindikatave. Nëse kësaj i shtohen edhe kostot e qirasë së një apartamenti 60m2, shporta sindikale kalon 1200 euro shpenzime.
“Në krahasim me muajin e kaluar, një familjeje prej 4 anëtarë tani i nevojiten edhe 1.214 denarë shtesë për të mbuluar shpenzimet elementare. Sipas përllogaritjeve, më së shumti para në muaj, shpenzohen për ushqim dhe pije ose mbi 22.000 denarë”, thonë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
Për qira, ujë, rrymë dhe ngrohje 6.014 denarë ose 10%, për rroba dhe këpucë 4.866 denarë, 8,1%, për higjienë personale dhe mirëmbajtje të shtëpisë 1.827 denarë ose 3%, për shëndet 1.059 denarë ose 1.8%, për transport 5.068 denarë, 8,4%. Një familje prej katër anëtarësh në prill të këtij viti i nevojiten 3.004 denarë për transport, 5% nga shuma e shportës minimale, për rekreacion dhe kulturë 4.378 denarë ose 7.3%, për arsim 6.955 denarë ose 11.6%, për restorante dhe hotele 3.890. denarë ose 6,5%, ndërsa për mallra dhe shërbime tjera 950 denarë, përkatësisht 1,6%. Lupço Rodovski nga Lidhja e Sindikatave tha se pavarësisht rrethanave politike aktuale, qytetarët nuk duhet të paguajnë më shtrenjtë për produktet dhe shërbimet e njëjta që marrin.
“Një pagë mesatare dhe një pagë minimale mezi e mbulojnë shportën minimale të konsumit mujor që një familje të mbijetoj. E kanë patjetër të ndalin veten nga nevojat sociale-kulturore, të mos shkojnë në teatër as në kinema, madje as në pushime nuk mund të shkojnë, e mos të flasim më për të dal në një darkë familjare nëpër restorante”, u shpreh Lupço Radovski, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
Në bazë të analizave të LSM-së, familjet blejnë vetëm ushqimet bazë. Kur blejnë rroba, gjithmonë u japin përparësi produkteve që kanë zbritje. Të gjithë anëtarët e familjes përdorin shërbimet shëndetësore më të nevojshme. Ata nuk kanë mundësi të hanë në restorante, vetëm dy herë në muaj mund të blejnë ushqim nga një “fast food” dhe jashtë sezonit shkojnë me pushime në kamp shtëpiza në Dojran 7 ditë. /Alsat.mk