Strugë/ Iu nxorën tre organe – një vezore, mitra dhe një veshkë – Nuk i shihet fundi gjyqit për lehonën Jëlldëz Veaposka
Pas dy vitesh nuk i shihet fundit gjyqit për lehonën Jëlldëz Veaposka, e cila lindi me prerje cezariane në spitalin e Strugës në vitin 2020, ndërsa iu nxorën tre organe – një vezore, mitra dhe një veshkë, shkruan Alsat.
I akuzuari i parë ishte gjinekologu nga Struga, Muhamed Asani dhe më pas djali i tij Blerton Asani. E akuzuara e tretë është mjekja Liljana Jovanoska. Ata akuzohen për veprave të rënda kundër shëndetit të njeriut.
“Mendoj se mënyra e mjekëve për të shpëtuar veten nga kjo punë që më bënë, është vetëm përmes zvarritjes. Ndikon shumë keq si psikikisht ashtu edhe fizikisht te unë, nuk mund të qëndroj në këmbë, mezi pres që të vijë fundi dhe e vërteta të dalë jo vetëm për mua, por për të gjitha gratë në Maqedoni, të mos heshtin dhe të mos ndalen kur ka gabime mjekësore”, tha Jëlldëz Veaposka, e dëmtuar.
Në seancën e sotme gjyqësore është marrë vendim për përgatitjen e një super-ekspertize të re nga Këshill mjeko-ligjor nga Fakulteti i Mjekësisë, pasi ekspertiza e mbrojtjes bie ndesh me atë të mjekësisë ligjore dhe në të thuhet se dy mjekët i kanë shpëtuar jetën Veaposkës. Por nga mjekësia ligjore thonë të kundërtën.
“Sipas ekspertizës sonë, përkeqësimi i gjendjes shëndetësore ka ardhur vetëm nga veprimet e ekipit shëndetësor në spitalin e Strugës. Fatkeqësisht, ligji është ashtu siç është, lejon që një ekspertizë e një eksperti individual të krahasohet me një ekspertizë të bërë nga një institucion dhe tre profesorë dhe në këtë mënyrë i jep të drejtë gjykatës të kërkojë përgatitjen e një super-ekspertize, kur ka mendime të kundërta të ekspertëve. Kjo ndodh shumë shpesh qëllimisht dhe në bazë të asnjë dëshmie nuk bëhen ekspertiza, vetëm për të qenë në kundërshtim me ekspertizat e dhëna nga instituti që të mund të bëhen super-ekspertiza”, u shpreh Aleksandar Stankov – drejtor i Mjekësisë ligjore.
“Thjesht nuk janë pajtuar për shfaqjen e pasojave që i ka e dëmtuara, kanë mendime kontradiktore për mënyrën se si është kryer i gjithë kujdesi”, theksoi Aleksandar Novakovski – avokat i mjekes së akuzuar.
I akuzuari i parë tashmë është deklaruar i pafajshëm. Seanca e radhës është caktuar për më 3 qershor ndërsa për shkak të mungesës së gjykatësve, procesin do ta udhëheq gjykatës nga Shkupi. Por, ai është i angazhuar në gjykatën e Strugës deri në shtator./ Alsat.mk