Harrohet “rikonstruimi” i Qeverisë
Të shumta ishin spekulimet për rikonstruimin e Qeverisë gjatë muajit maj por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, shkruan gazeta LAJM. Ndonëse zërat për ndryshimet në kabinetin qeveritar i kishin demantuar në disa raste zyrtarët më të lartë të Qeverisë, madje edhe vetë kryeminstri Zoran Zaev, mediat duke u thirrur në burime të besueshme brenda ekzekutivit, spekulonin se brenda majit do të ketë lëvizje në qeveri. Zërat për ndryshime u shtuan për shkak të përplasjeve brenda BDI-së.
Raportohej se largimi i ministrit të Jashtëm Bujar Osmani, nga Qeveria është i pashmanshëm për të normalizuar tensionet raportet brenda zyrtarëve të BDI-së nga dega e Çairit. Siç raportohej, pas largimit të Osmanit, zëvendës kryeministri për sistem politik Artan Grubi do të kalonte në diplomaci për t’ia liruar karrigen e tij, Izet Mexhitit, i cili do ta merrte timonin e ministrisë së Grubit. Madje, u spekulua edhe për mundësinë e shkëmbimit të ministrive mes BDI-së dhe LSDM-së.
Sipas raportimeve, partia e Ali Ahmetit do të merrte nën drejtim ministrinë e Brendshme, ndërsa social-demokratët atë të financave. Por, të gjitha këto kombinatorika që dolën në opinion nuk u realizuan, të paktën deri tani. Duket se liderët e dy partive kryesore në Qeveri, Zaev dhe Ahmeti janë të kënaqur nga puna e deritanishme e kuadrove që kanë përzgjedhur. Mësohet, se lideri i BDI-së Ali Ahmeti, gjatë aktiviteteve të fundit në Shkup e Kumanovë, i’a ka bërë të ditur funksionarëve të pakënaqur se nuk mendon për ndryshime të paktën deri pas zgjedhjeve lokale, pavarësisht paralajmërimeve të nënkryetarit të partisë Izet Mexhiti që kjo gjë mund të ndikojë negativisht në zgjedhje.
Ditë më parë, në një intervistë televizive kreu i BDI-së, tha se ka raporte të mira me të gjithë funksionarët e partisë, përfshirë këtu edhe nënkryetarin Mexhiti, i cili ka dalur hapur me kritika për punën e ministrave të BDI-së. Mexhiti, që nga formimi i Qeverisë së re, kërkon të respektohet meritokracia brenda partisë ndërsa ka deklaruar se zv.kryeministri Artan Grubi dhe ministri i Jashtëm Bujar Osmani nuk përfaqësojnë elektoratin e BDI-së në Shkup. Por, Grubi dhe Osmani këto akuza janë munduar t’i amortizojnë duke mos i komentuar.
Pas përjashtimit të mundësisë për ndryshimin e ministrave nga ana e Ali Ahmetit, përplasjet brenda BDI-së, sidomos në degën e Çairit, mund t’i thellojë përzgjedhja e kandidatit për zgjedhjet lokale. Nëkryetari Izet Mexhiti ka thënë se mbështet kandidimin e sërishëm të Visar Ganiut, i cili hapur ka shprehur ambiciet për mandatin e tyre, por Ahmeti ditë më parë tha se akoma nuk ka vendosur për kandidaturën në Çair. Lideri “integrist” bëri të ditur se po bëhen anketa të brendshme për të krijuar pasqyrë se cilët kandidatë kanë më shumë shanse për të fituar.
I vetmi emër që është shpalosur nga BDI-ja është Erkan Arifi, i cili do të rikandidojë për mandatin e dytë në komunën e Likovës. Ahmeti, nuk ka përjashtuar mundësinë për rikandidimin e Teuta Arifit për mandatin e tretë në Tetovë, Ramiz Merkos në Strugë dhe Nevzad Bejtës në Gostivar. Megjithatë, emrat e tyre akoma nuk janë zyrtarizuar./Albion Memeti – Gazeta LAJM