Zgjedhjet 2024, VLEN-i mbajti tubim në Gostivar
Koalicioni VLEN ka mbajtur mbrëmë tubim në Gostivar, ku kandidati për president i këtij koalicioni, Arben Taravari, ka kërkuar fitore me të paktën 7 mijë vota diferencë. Ai tha se ky koalicion do ta sjellë ndryshimin e mirëpritur dhe të prirë gjatë te shqiptarët.
“Përsëri do ta jepni maksimumin tuaj që në Gostivar ta bëni diferencën sa më të madhe të mundshme. Ne tashmë jemi radhitur si opozitë e bashkuar shqiptare, opozitë e cila duhet ta sjellë ndryshimin e mirëpritur te shqiptarët.”, – deklaroi kandidati për president, Arben Taravari.
Bartësi i listës në njësinë e gjashtë zgjedhore, Bilall Kasami, tha se ai dhe Arben Taravari kanë dëshmuar me punën e tyre të deritanishme si kryetar të komunave se mbrojnë interesat e popullit, prandaj kërkon mbështetjen për kandidaturën e Taravarit për president dhe listën e kandidatëve për deputetë.
“Me Arbenin president dhe me VLEN-in qeverisje, ne do të përkujdesemi për zhvillim të njëjtë, pavarësisht etnisë dhe përkatësive të qytetarëve të këtij vendi. Do të përkujdesemi për infrastrukturë të qëndrueshme për prosperitet shoqëror e për përkujdesje maksimale institucionale.”, – theksoi bartësi i listë në njësinë e 6-të zgjedhore, Bilall Kasami.
Votën për kandidatin për president, Arben Taravari dhe kandidatët për deputetë nga qytetarët e Gostivarit e kërkoi edhe kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti. Ai tha se ky koalicion po e sjell ndryshimin te shqiptarët.
“Nga njëra derë po shkon e keqja, nga dera tjetër po vjen mbarësia, po vjen ndryshimi, po vjen VLEN-i. I nderuar Arben, në këto zgjedhje ti nuk ke kundërkandidat. Vetëm një tabor shqiptar e kemi në këto zgjedhje, ai është VLEN, taborët tjerë janë me lista të zeza.”, – u shpreh kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti.
Mexhiti njëherit theksoi se VLEN-i do të angazhohet për funksionimin e shtetit të së drejtës, reforma në drejtësi me veting dhe angazhim për nxjerrjen nga burgu të gjithë shqiptarët e dënuar padrejtësisht./TVM2