Qendra informuese për turistët në Tetovë ende jashtë funksionit, nuk dihet se kur do të hapet
Qendra informuese për turistët në Tetovë ende nuk është funksionale, pavarësisht premtimeve të Komunës së Tetovës. Nga ky institucion theksojnë se kjo qendër do të hapet së shpejti duke mos precizuar afat se kur, shkruan Portalb.mk.
Në programin zgjedhor ‘Me ka krejt për Tetovën’ 2021-2025 të kryetarit të Tetovës Bilall Kasamit, mes tjerash përmendet edhe themelimi i qendrës informuese për turistët.
Te pjesa e turizmit, konkretisht në faqe 15 të programit thuhet:
“Themelimi i qendrës informuese për turistët, tabela informuese me hartën e qytetit si dhe aplikacion me hartën turistike të Tetovës”.
Megjithatë, dy vite e gjysmë më vonë që nga ndryshimi i pushtetit lokal në Tetovë, kjo pikë e programit nuk është realizuar. Në qendër të Tetovës është vendosur një instalim i dedikuar për këtë qëllim por i njëjti është jofunksional për momentin.
Portalb.mk pyeti Komunën e Tetovës se kur do të realizohet kjo, nga komuna thonë se qendra do hapet së shpejti, por pa thënë se kur konkretisht.
“Qendra informative turistike do të hapet së shpejti, jemi duke punuar në procedurë administrative dhe përgatitjen e dokumentacionit teknik. Për shkak se është faza fillestare e projektit nuk janë të parapara mjete financiare nga buxheti i projektit për aplikacion me hartën turistike të Tetovës”, thanë nga Komuna e Tetovës.
Kujtojmë që instalimi për qendrën informuese turistike në qendër të Tetovës u vendos në tetor 2023, e njëjta paraprakisht ishte e vendosur në vitin 2020 te Parku i Gruas dhe nuk shërbeu për këtë qëllim, por si market.