BallinaMaqedoni

Të punësuarit në institucionet e kulturës paralajmërojnë protesta për pagat e papaguara

Nëse nuk do t’u paguhet rroga e muajit mars, mbi 3.000 punonjës të institucioneve të kulturës paralajmëruan se do të mbajnë protestë, të cilat nuk do të ndalen deri në marrjen e pagës për të cilën kanë punuar në përputhje me marrëveshjet kolektive.

Kryetarja e Sindikatës së punëtorëve të kulturës, Vera Atanasovska, tha se paditë për vonesë në pagesën e pagave janë në proces, pasi sipas saj janë shkelur të gjitha afatet ligjore.

“Janë shkelur të gjitha afatet ligjore dhe tre mijë punonjës të kulturës nuk janë paguar ende. Më telefonuan nga zyra e ministres së Kulturës, ku më thanë se sot në orën 13:00 duhet të kemi një takim në Ministrinë e Financave. Nuk jam e informuar se për çfarë do të bëhet takimi, por menjëherë më pas kam marrë telefonata nga institucionet e kulturës se punonjës të Ministrisë së Kulturës, kanë thirrur institucionet dhe kanë thënë se paga duhet të paguhet pa u përshtatur sipas kontratës kolektive.”, – deklaroi kryetarja e Sindikatës së punëtorëve të kulturës, Vera Atanasovska.

Sipas Atanasovskës, për pak ditë do të mbeten pa sigurim shëndetësor tre mijë punonjës të kulturës dhe familjet e tyre. Ndërsa kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov, i bëri thirrje ministres së Kulturës, që të bëjë të gjitha përpjekjet që pagat të derdhen në llogaritë e punonjësve të kulturës më së voni sot deri në fund të orarit të punës, nëse nuk do të paguhen, prej të premten çdo ditë do të zhvillohen protesta.

“Është e papranueshme që kjo të ndodhë me ne, sidomos 15 ditë para zgjedhjeve. Është e palejueshme të kërkojnë votën tonë 15 ditë para zgjedhjeve, duke mos na paguar siç duhet – flasim për rroga, jo për ryshfet dhe korrupsion. Nuk kanë justifikim, të ketë rrogë më së voni deri në fund të ditës, nëse nuk paguhet gjatë ditës së nesërme, do të fillojnë protestat.”, – theksoi Sllobodan Trendafilov nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.

Protestat e paralajmëruara do të zhvillohen nga ora 13:00 para Ministrisë së Kulturës. Kujtojmë se prej disa ditësh në grevë ndodhen edhe specializantët privatë mjekësorë, të cilët kërkojnë rritjen e pagave dhe përfshirje në sigurimin shëndetësor.