BallinaMaqedoni

Zyra e Këshillit të Evropës dhe ShGM-ja: Liria e shprehjes të mbrohet, është vlerë

Gazetarët në vendin tonë, e sidomos ata që merren me gazetari hulumtuese, përballen me të ashtuquajturat “padi strategjike kundër pjesëmarrjes në publik”. Nga Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë sigurojnë mbështetje për mbrojtje juridike të gazetarëve, ndërkaq apelojnë edhe për vetëdijesim të personave publik, që të jenë të gatshëm të përballen me kritikat e gazetarëve.

“Bëhet fjalë për padi të ngritura nga politikanët, nga persona me funksion publik, nga deputetë dhe vetë fakti se aktorët politikë guxojnë të padisin gazetarë, flet për atë se nuk ka tolerancë kur bëhet fjalë për kritika në eterin publik. Ne duhet të veprojmë në ndryshimin e mentalitetit të atyre që ngritin padi të atilla, sepse në njëfarë mënyre kur dikush dëshiron të ekspozohet në publik, duhet të jetë i vetëdijshëm se do të bëhet lëndë kritike nga gazetarët, në qoftë se nuk e kryen punë si duhet.”, – theksoi drejtori ekzekutiv në ShGM, Dragan Sekullovski.

Nga Këshilli i Evropës potencojnë nevojën për mbrojtjen e gazetarëve nga ekzekutivi dhe institucionet tjera. Lidhur me përshtypjen e tyre me situatën e gazetarisë në vendin tonë, ata thonë se pasqyra reale u shfaq ditë më parë në raportin e Freedom House-it.

“Gazetarët patjetër të mbrohen dhe është punë e Qeverisë të sigurojë ushtrimin e punës së gazetarëve, sepse pa ata nuk mund ta kemi demokracinë. Siç shohim në Evropë dhe botë, demokracia është nën kërcënim. Dezinformatat përfaqësojnë njërën nga kërcënimet kryesore të demokracisë dhe gazetarët janë në vijën e frontit për ta mbrojtur demokracinë. Për këtë arsye, lansojmë fushata, dhe duam që kjo fushatë të lansohet edhe në Maqedoni të Veriut.”, – deklaroi përfaqësuesja e Këshillit të Evropës, Alina Tatarenko.

Këto komente u thanë në debatin mbi integritetin dhe mbrojtjen e gazetarit, ku njëherit u bë e ditur implementimi i projektit të zyrës programore të Këshillit të Evropës në Shkup mbi lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave./TVM2